Lidhje

Bashkohen me familjet gazetaret e liruara nga Koreja e Veriut


Dy gazetaret amerikane të liruara nga Koreja e Veriut mbërritën sot në Shtetet e Bashkuara së bashku me presidentin Bill Klinton. Avioni me të cilin udhëtuan Laura Ling dhe Euna Lee zbriti në aeroportin Bob Hope në Burbank të Kalifornisë sot paradite.

Dy gazetaret mbërritën në Shtetet e Bashkuara pas një shkëputjeje 4 mujore nga familjet e tyre, dhe pas një drame të gjatë që mori përmasa ndërkombëtare dhe angazhoi edhe presidentin amerikan Bill Klinton. Së bashku me presidentin Klinton, vajzat u përshëndetën me të afërmit dhe më pas, gazetarja Laura Ling bëri disa komente për shtyp.

"30 orë më parë Euna Lee dhe unë ishim të burgosura të Koresë së Veriut. Mendonim se në çdo moment mund të na çonin në një kamp pune. Papritur na thanë se do të shkonim në një takim. Kur u futëm në derë pamë para nesh Presidentin Klinton. U shtangëm dhe disi e kuptuam se ky makth i frikshëm po përfundonte."

Dy gazetaret u mbajtën nga autoritetet koreano-veriore mbi 4 muaj. Një gjykatë e Koresë së Veriut i kishte dënuar ato me 12 vjet punë të detyruar, nën akuzat se ishin futur në mënyrë të paligjshme në vend për të kryer akte armiqësore, kur u arrestuan në afërsi të kufirit me Kinën. Pheniani vendosi dje t'i falte gazetaret amerikane, pas bisedimeve mes Presidentit Klinton dhe udhëheqësit koreano-verior Kim Jong Il.

Zoti Klinton vizitoi Phenianin si person privat. Misioni i tij në Korenë e Veriut u cilësua nga autoritetet amerikane si një udhëtim me synim thjesht humanitar. Por ekspertë për Korenë e Veriut thonë se vizita e ish-presidentit në këtë vend komunist do të ketë ndikim të ndjeshëm politik.

Sipas analistëve politikë, kjo vizitë i shërben autoriteteve zyrtare në Phenian të realizojnë një kalim pa probleme të autoritetit nga King Jong Ili në duart e të birit, pasi vizita e zotit Klinton jep përshtypjen e një normaliteti në marrëdhëniet me jashtë. Ka analistë të tjerë që thonë se kjo do të fuqizojë përpjekjet e Phenianit në programin bërthamor, propaganda komuniste do ta interpretojë vizitën si rezultat i punës në programin bërthamor.

Pheniani do të theksojë se përfshirja e Koresë së Veriut në grupin e fuqive bërthamore ka ndryshuar shumë mënyrën si shihet ky vend në botë. Tani që në vend erdhi për vizitë një figurë e tillë, Pheniani do të përpiqet ta trumpetojë si rezultat i rëndësisë që ka ky vend në arenën ndërkombëtare.

Megjithëse përmbushi një mision delikat humanitar, që bëri bujë të madhe, analistët thonë se vizita e zotit Klinton në Korenë e Veriut dërgon mesazhe çorientuese në këtë moment kur Uashingtoni po përpiqet të tregohet sa më i prerë në mënyrë që të shkurajojë marrjen e akteve pvrovokatore nga Pheniani.//lk



XS
SM
MD
LG