Lidhje

Takimi i nivelit të lartë SHBA, Meksikë, Kanada


Gjendja e ekonomisë botërore do të jetë një prej çështjeve kryesore, që do të diskutohen kur presidenti Barak Obama të takohet nesër dhe pasnesër me udhëheqësin e Kanadasë dhe atë të Meksikës. Takimi i nivelit të lartë i 3 udhëheqësve, që do të zhvillohet në qytetin Guadalahara të Meksikës, do të përqëndrohet gjithashtu në çështjet e sigurimit, tregëtisë dhe virusin e gripit H1N1.

Rimëkëmbja ekonomike do të jetë çështja kryesore e rendit të ditës kur Presidenti Obama, Presidenti meksikan, Felipe Kalderon dhe kryeministri kanadez, Stivën Harper të takohen në Guadalahara.

Të tre vendet janë përballur me vështirësi gjatë recesionit ekonomik. Robert Pestër, drejtor i qendrës për studimet e Amerikës së Veriut në Universitetin Amerikan në Uashington, pret që 3 udhëheqësit të diskutojnë mënyrat për t’i bërë ekonimitë e tyre më konkuruese.

“Ekonomitë e të 3 vendeve janë në gjendje të rëndë dhe bashkërendimi e këshillimi më i mirë se sa vitin e kaluar, do të ishte një hap pozitiv përpara”.

Kanadaja është partneri kryesor tregëtar i Amerikës dhe Meksika partneri numër 3, prandaj tregëtia do të jetë gjithashtu një prej çështjeve kryesore të takimit.

Vitin e kaluar, gjatë fushatës presidenciale, Barak Obama mbrojti rinegocimin e marrëveshjes së vitit 1993 për tregëti të lirë në Amerikën Veriore, e njohur si NAFTA, e cila i përfshin të 3 vendet.

Që prej atëhere, presidenti Obama ka ndryshuar mendim. Gjatë vizitës në Otavë në muajin shkurt, Presidenti Obama i tha udhëheqësit të Kanadasë se tani ai po përqëndrohet në mënyrat e zbatimit të marrëveshjes.

“Jam në dijeni të shqetësimeve të Kanadasë, për vetë faktin se sa e rëndësishme është tregëtia me Shtetet e Bashkuara për ekonominë kanadeze. E sigurova kryeministrin Harper se unë synoj ta shtoj tregëtinë dhe jo ta reduktoj”.

Sabina Dëvan e Qendrës për Përparim Amerikan po në Uashington, thotë se nuk ka të ngjarë që të bisedohet për rinegocimin e NAFTA-s.

“Kjo çështje pak a shumë do të përfshihet në bisedimet tregëtare në përgjithësi. Nuk mendoj se rinegocimi tani për tani do të jetë një çështje serioze diskutimi”.

Fqinjët e Amerikës së Veriut pritet të bisedojnë rreth bashkëpunimit në energji dhe ruajtjen e mjedisit. Kryeministri Harper krijoi kushtet për këto bisedime kur u takua në Otavë me presidentin Obama në muajin shkurt.

“Ne do të fillojmë një dialog amerikano-kanadez për energjinë e pastër, e cila kërkon angazhimin e të dy vendeve për të bashkëpunuar në zhvillimin e teknologjive për energjinë e pastër, që do të pakësonte efektin serë dhe do të luftonte ndryshimet klimatike”.

Kanadaja dhe Meksika janë dy furnizuesit kryesor të Shteteve të Bashkuara me energji.

Ndoshta çështja më urgjente për t’u diskutuar në Guadalahara është virusi i gripit H1N1, i cili preku ndjeshëm Meksikën dhe Shtetet e Bashkuara në Bashkuara në fillim të vitit.

Dr. Mirta Roses Periago, drejtoreshë e Organizatës Pan-Amerikane të Shëndetsisë, thotë se vendet e Amerikës së Veriut bashkëpunuan shumë mirë për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje.

“Ato shkëmbyen informacionin, ishin shumë transparentë dhe vepruan me solidaritet, jo vetëm mes tyre por edhe me pjesën tjetër të botës”.

Edhe çështje të tjera sigurimi do të zënë vend të rëndësishëm gjatë takimit. Tre udhëheqësit pritet të diskutojnë rreth krimit të organizuar, veçanërisht bandat e dhunshme të drogës në Meksikë dhe në Vankuvër të Kanadasë perëndimore.

Ka të ngjarë që ata të disktuojnë edhe rreth problemeve rajonale në Honduras dhe Venezuelë, si dhe rreth çështjeve të sigurimit global, duke përfshirë edhe shqetësimet e armëve bërthamore në Iran dhe Korenë e Veriut. (ze)

XS
SM
MD
LG