Lidhje

SHBA: Studiesit punojnë intensivisht për vaksinën e gripit


Studiesit amerikanë po punojnë me intensitet për të përgatitur vaksinat për sezonin e gripit, i cili fillon zakonisht në fund të tetorit, por këtë vit mund të arrijë kulmin më herët se zakonisht. Vaksinat po testohen për të parandaluar një epidemi të gripit H1N1 dhe parashikohet që doza të mëdha të jenë gati për përdorim në prag të sezonit të gripit. Në Fakultetin për Menaxhimin e Shëndetit Publik pranë Universitetit Johns Hopkins po zhvillohen kërkime lidhur me mutacionet e virusit dhe masat që duhen marrë në përgjigje të tyre.

Organizata Botërore e Shëndetësisë pohon se afro 100 mijë vetë në gjithë botën janë diagnostikuar me gripin H1N1. Por shumë epidemiologë thonë se mundet të ketë miliona raste të pakonfirmuara.

Por edhe më shumë veta në Hemisferën Veriore pritet të preken këtë vit nga virusi gjatë sezonit të gripit, megjithëse nuk është e qartë se sa i madh është kërcënimi nga ky patogjen.

Andrew Pekosz është Profesor në Katedrën e Mikrobiologjisë dhe Imunologjisë në Universitetin Xhons Hopkins. Ai nënvizon se vurusi H1N1 ka disa ngjashmëri me virusin që shkaktoi epideminë e gripit në vitin 1918, dhe mendohet se preku 1 të tretën e popullsisë së botës duke shkaktuar vdekjen e mbi 50 milionë vetëve.

Por studimet e tij mbi këtë lloj të ri virusi tregojnë se nuk ka shumë gjasa që virusi i ri të shfaqë të njëjtat karakteristika:

“Këtij virusi të vitit 2009 i mungojnë disa nga tiparet specifike të shkaktarëve të epidemive, që i kishte virusi i vitit 1918. Prandaj nuk mendoj se ka gjasa që ky virus të shfaqë mutacione që ta shndërrojnë atë në po aq vdekjeprurës sa gripi i vitit 1918.”

Por ai paralajmëron se gripi H1N1 ka gjasa të shkaktojë pjesën më të madhe të rasteve të gripit në Hemisferën Veriore këtë vjeshtë.

“Nëse analizojmë gjendjen aktuale në Hemisferën e Jugut, e cila po kalon tani sezonin e gripit, shohim se gripi atje filloi më herët dhe në disa raste virusi u përhap më me shpejtësi se gjatë një sezoni normal të gripit. Nuk ka arsye përse të mendojmë se në hemisferën tonë gjendja do të jetë ndryshe, sapo të freskohet pak moti dhe kushtet për përhapjen e gripit të jenë optimale.”


Çdo lloj gripi ka karakteristika të ndryshme dhe rrezikon grupe të ndryshme të popullatës. Virusi i vitit 1918 shkaktoi vdekjen e më shumë të rinjve të shëndetshëm se çdo grip tjetër. Afro gjysma e viktimave ishin 20-40 vjeç.

Ky fenomen po përsëritet deri diku tani. Të moshuarit, të cilët tradicionalisht preken nga gripi, nuk janë prekur shumë nga gripi H1N1, ndoshta pasi gjatë viteve kanë siguruar një farë imuniteti.

“Ka prova që tregojnë se virusi po sulmon të rinj të shëndetshëm në një masë më të lartë se popullatat e tjera. Kemi vërejtur raste më të rënda tek fëmijët dhe gratë shtatzëna. Pra këto mund të jenë segmente të popullatës që kërkojnë vëmendje shtesë sapo të fillojë sezoni i gripit.”

Hemisfera Veriore duhet të përgatitet për një sezon gripi më të rëndë se zakonisht, paralajmërojnë mjekët. Më shumë njerëz kanë rrezik të infektohen, prandaj edhe pritet një përqindje më e lartë rastesh të rënda dhe vdekjesh nga gripi H1N1.

Por zyrtarë të shëndetësisë po i bëjnë thirrje popullatës të mos përhapë panik. Këtë radhë, ndryshe nga viti 1918, ka vaksina kundër gripit H1N1. Ata i këshillojnë njerëzit të bëjnë vaksina dhe të marrin ilaçe kundër virusit këtë vjeshtë, si dhe masat e zakonshme të higjenës dhe shëndetit vetjak. //ii

XS
SM
MD
LG