Lidhje

Udhëheqësit botërorë nderojnë kujtimin e Kenedit


Udhëheqësit botërorë po nderojnë senatorin veteran Edward Kennedy, i cili vdiq dje në moshën 77-vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancer në tru. Korrespondenti Tom Rivers njofton se Senatori Kennedy, vëllai i ish-presidentit amerikan Xhon Kenedi, gjatë karrierës së tij kishte zgjuar admirimin e plot njerëzve në të gjithë botën:

Ne arenën ndërkombëtare, Ted Kenedi kishte plot miq dhe vdekja e tij është përcjellë me mesazhe të shumta ngushëllimi.

Me një karrierë afro 50 vjeçare në Senat, Kenedi, një politikan liberal, ai shërbeu gjatë administratave të 10 presidentëve të ndryshëm, ndër të cilat edhe tek e vëllait Xhon Kenedi. Ai njihej për arritjet e tij të shumta në Kongres në lidhje me kujdesin shëndetësor, të drejtat civile, arsimin, imigracionin etj.

Nga Australia, kryeministri Kevin Rudd u shpreh në këtë mënyrë:

“Ted Kenedi ishte një amerikan i madh, një demokrat i madh, por edhe një mik i madh i Australisë. Ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për politikën amerikane, një kontribut të jashtëzakonshëm për rolin e Amerikës në botë.”

Në Londër, kryeministri britanik Gordon Braun tha se Senatori Kenedi admirohej në të gjithë botën dhe vdekja e tij përcillet me dhimbje në çdo kontinent.

Ish-udhëheqësi britanik Toni Bler tha se zoti Kenedi ka frymëzuar përkushtim dhe respekt ngado. Zoti Bler nënvizoi në veçanti rolin e Senatorit në ndihmë të mbarëvajtjes së negociatave për paqe të qëndrueshme në Irlandën e Veriut.

Ambasadori amerikan në Britani Luis Suzman e cilësoi zotin Kenedi një luan në Senat. Ky person, shton diplomati Suzman, gëzonte besim nga të dyja anët e spektrit politik dhe kishte një aftësi të mrekullueshme për të bashkuar njerëzit.

Në Ramallah të Bregut Perëndimor, ish-presidenti Xhimi Karter dha komente për BBC-në lidhur me politikanin që e ka njohur prej kohësh.

“Ashtu si shumë amerikanë të tjerë, edhe unë mendoj se njerëzit në të gjithë botën janë prekur nga vdekja e një njeriu të madh… Mendoj se ndër të gjithë anëtarët e Senatit dhe Kongresit të Shtetet e Bashkuara ai ishte një politikan i shquar. Ai ka qenë i patundur, i ndershëm dhe i hapur si dhe shumë i aftë për t’i shprehur popullit amerikan pikëpamjet e tij. Shpresoj që përkushtimi i tij i thellë për një mbulim gjithëpërfshirës me kujdes shëndetësor për Amerikën të nderohet nga bashkëkohësit dhe kolegët e tij në një të ardhme të afërt.”

Zoti Karter tha se Senatori Kenedi ka punuar pa u lodhur për amerikanët e varfër.

“Mendoj se Ted Kenedi, megjithëse rridhte nga një familje shumë e pasur, shumë e famshme dhe e suksesshme në politikë, në radhë të parë ishte i përkushtuar ndaj atyre që ishin në nevojë më të madhe. Ai punoi për ata që ishin të privuar në shoqërinë amerikane. Ai, jo vetëm që punoi për ta, por ishte shumë i efektshëm në punën e tij në Senat.”


Senatori Kenedi vdiq në moshën 77-vjeçare nga kanceri. Ai do të kujtohet në botë si një mbrojtës i zjarrtë i drejtësisë sociale. //ii

XS
SM
MD
LG