Lidhje

Pritet rishikimi i strategjisë amerikane në Afganistan


Presidenti Obama po shqyrton situaten ushtarake dhe të sigurisë në Afganistan ndërkohë që po shqyrton mundësinë e dërgimit të trupave shtesë në këtë vend. Rishikimi i strategjisë pason raportin e komandantit amerikan në Afganistan që flet për përkeqësimin e situatës së sigurisë. Por hollësirat e raportit ende nuk janë bërë publike.

Trupat amerikane po luftojnë kundër kryengritjes në rritje të Talebanit në Afganistan.

Ndërsa luftimet vazhdojnë, një raport nga Gjenerali amerikan Stanli Mekristal, udhëheqës i trupave amerikane dhe të NATO-s në Afganistan, flet se situata e sigurisë në vend po përkeqësohet.

Presidenti Obama po shqyrton këtë raport i cili mund të jetë hapi i parë për miratimin e trupave shtesë amerikane në Afganistan.

Sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts ka thënë se ai është i hapur për të rritur numrin e trupave amerikane në Afganistan.

“Unë mendoj se është e rëndësishme që gjatë muajve të ardhshëm ne të tregojmë se strategjia e presidentit është e sukseshme dhe qëllimi i raportit të Gjeneralit Mekristal ka pikërisht këtë synim, të gjejë mënyrën më të mirë, të pakten nga këndvështrimi ushtarak, për të arritur përparim”.

Zyrtarët nuk i kanë bërë publike hollësitë e raportit të Gjeneralit Mekristal.

Kimberli Kagan, Presidente në Institutit për Studime të Luftës thotë se ushtria amerikane duhet të përqendrohet në strategjinë e luftës kryengritëse për të ndihmuar afganet të ndihen më të sigurtë.

“Sipas mendimit tim, ai ka nevojë për më shumë trupa në vendet ku forcat armike sfidojnë popullsinë lokale, në mënyrë që popullsia të ndihet e sigurtë dhe t’u kudërvihet forcave taleban”.

Gjatë javëve të fundit, Gjenerali Mekristal dhe Sekretari i Mbrojtjes Gejts kanë thënë se qëllimi kryesor i forcave amerikane dhe të NATO-s është të ndihmoj në uljen e vrasjes së civilëve.

Pritet gjerësisht që Gjenerali Mekristal t’i kërkojë Presidentit Obama miratimin e përforcimeve me mijëra trupa.

Ky përforcim do të ndihmonte 68 mijë trupa që tashmë gjenden në Irak ose të cilat do të vendosen këtë vit. Po ashtu, gjenerali Mekristal ka biseduar për nevojën e rritjes së madhësisë së ushtrisë kombëtare të Afganistanit.

Erik Leaver i Institutit për Studim të Politikave në Uashington, thotë se stërvitja e më shumë forcave afgane nuk ka ndonjë peshë pa një qeveri qendrore më të fuqishme.

“Edhe në se arrihet sukses në stërvitjen e këtyre trupave, ndaj kujt do të jenë ato përgjegjëse?”

Analistet thonë se dyshimet e shumta për mashtrime në procesin e zgjedhjeve të fundit presidenciale mund të zhvlerësojnë cilindo që fiton presidencën.

Ndërsa po debatohet për strategjinë e re të luftës, shërbimet ceremoniale për ushtarët e rënë amerikanë po vazhdojnë. Gjatë muajit gusht vdiqën më shumë trupa amerikan se në ndonjë muaj tjerë që nga fillimi i luftës tetë vite më parë. Përkrahja e publikut amerikan për luftën ka rënë.

“Ne duhet të shkojmë atje jo vetëm me armë, por të krijojmë lidhje dhe t’i kuptojmë ata, kulturën e tyre dhe të nxisim bashkëpunimin. Kjo do të na dallonte ne nga forcat e tjera të shumta që kanë shkuar në Afganistan gjatë historisë së këtij vendi,“ tha ish Gjenerali amerikan Anthoni Zinni.

Analistët thonë se zoti Obama duhet të ketë parasysh edhe faktin tjetër, që shtimi i forcave amerikane të mos shihet nga afganët si një ushtri pushtuese./ap.

XS
SM
MD
LG