Lidhje

Parlamenti i Shqipërisë miraton qeverinë e re dhe programin e saj


Parlamenti i Shqipërisë miratoi në mbrëmje qeverinë e re të vendit në një seancë ku munguan deputetët e Partisë Socialiste të opozitës. Programi dhe qeveria e re e kryeministrit Sali Berisha morën 74 vota pro nga deputetët e shumicës, ndërsa deputetët e opozitës nuk morën pjesë as në seancën e tretë qyshkur u mblodh parlamenti i ri.

Në programin qeverisës kryeministri Sali Berisha renditi një seri premtimesh për investime në infrastrukturë, ekonomi, dhe në sektorët socialë si shëndetësia dhe arsimi; të gjitha me qëllimin e vetëm që të plotësohen standartet e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Ndërtimi i Shqipërisë europiane kërkon që ekonomia shqiptare të vrapojë, si kushti më kryesor për të garantuar për qytetarët shqiptarë mirëqenie, punësim, shërbime njëlloj si ato që gëzojnë qytetarët e vendeve antare të Bashkimit Europian. Objektivat më madhore të qeverisë së integrimit europian janë: konsolidimi i rritjes së shpejtë ekonomike, rritja e konkurrueshmërisë së ekonomisë sonë, Shqipëria si një lider në rajon për thithjen e investimeve të huaja, dhe zhvillimi i qëndrueshëm i saj”, tha kryeministri Berisha.

Zoti Berisha tha se në mandatin e parë u goditën me ashpërsi krimi i organizuar dhe trafiqet, punë që do të vazhdojë edhe në katër vjetët e tjera, duke filluar me bllokimin e mjeteve lundruese, si një mënyrë që shmang trafiqet njerëzore.

“Në katër vitet që vijnë kjo luftë do të vazhdojë me vendosmërinë më të madhe. Shqipëria do të ecë drejt niveleve të ulta të kriminalitetit në rajon dhe në Europë. Kontrolli i integruar i kufijve, sistemi i ri i identifikimit të qytetarëve janë një mbështetje e fuqishme për këtë objektiv. Shqipëria do të mbajë në fuqi moratoriumin për skafet. Lufta kundër trafiqeve të qenieve njerëzore do të përbëjë një nga përparësitë më madhore në luftën me zero tolerancë kundrejt krimit të organizuar”, tha zoti Berisha.

Në qendër të premtimeve të programit të ri mbeti edhe këtë vit lufta kundër korrupsionit në administratë. Kryeministri Berisha tha se heqja e imunitetit të çdo politikani do të kryhet menjëherë sapo kjo të kërkohet nga organet e drejtësisë, ndërkohë që do të kontrollohen më mirë pasuritë e tyre.

“Amendimi i ligjit të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, krijimi i të gjitha mundësive këtij institucioni për një hetim të plotë për pasuritë e zyrtarëve është një premtim tjetër i kësaj maxhorance për të rritur më tej luftën kundër korrupsionit. Konsolidim i ligjit të denoncuesve të korrupsionit, reformim dhe konsolidim i të gjitha institucioneve të kontrollit si Task Forca kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit në gjashtë qarqet kryesore të vendit, ndëshkim ligjor për të gjithë zyrtarët e korruptuar: - kjo është platforma jonë me të cilën ne jemi të sigurtë se do të fitojmë luftën kundër korrupsionit”, tha zoti Berisha.

Fjala e kryeministrit Berisha u ndërpre herë pas here nga duartrokitjet e deputetëve të shumicës së re dyngjyrëshe PD-LSI, ndërsa në gjysmën tjetër të sallës mbizotëronte heshtja në karriget bosh të deputetëve të Partisë Socialiste. Përveç simbolikës së protestës, mungesa e deputetëve të opozitës në sallë për tre seanca rresht nuk solli ndonjë vështirësi proceduriale që parlamenti i ri të konstituohej, të bënte betimin dhe të miratonte qeverinë e re.

Sipas disa analistëve politikë në Tiranë, veprimtaria e Partisë Socialiste pritet të bëhet më energjike nga fundi i këtij muaji, kur mbaron gara për postin e kryetarit të kësaj partie dhe kur mund të mbyllen brenda radhëve të saj debatet e grupimeve pro dhe kundër bojkotit të parlamentit. (ze)

XS
SM
MD
LG