Lidhje

Pitsburgu në prag të takimit të Grupit të 20-shes


Pitsburgu i Pensilvanisë po përgatitet të mirëpresë udhëheqësit e 20 fuqive kryesore botërore më 24 shtator. Ky qytet ka përballuar një numër stuhish ekonomike në historinë e tij. Në rrjedhën e viteve i është dashur të braktisë statusin si qendër e industrisë metalurgjike dhe të përqafojë të ardhmen. Siç mësojmë nga reportazhi në vazhdim, 30 vjet pas perëndimit të industrisë metalurgjike, duket se Pitsburgu ka gjetur një identitet të ri për veten:


Denis Verosky mishëron historinë e Pitsburgut. Ai rrjedh nga një familje metalurge, që pat punuar edhe vetë në furnaltë në rini.

“Në vitin 1985 më pushuan nga puna. Fillova këtu si student në radiologji.”

Kur perëndoi epoka e industrisë metalurgjike, Verovsky rifilloi studimet dhe u bë teknik radiolog. Ashtu si ai, edhe Pitsburgu gjeti një identitet të ri. Xhozef Sabino Mistik, ish zyrtar i bashkisë, tani është profesor në universitet. Ai i ka përjetuar vetë ndryshimet dhe kujton sa të vështirë e kishin familjet lokale:

“Duhej të bënim diçka dramatike. Gradualisht filluan të happen qendra shëndetësore dhe arsimi, universitete dhe sektori ynë i spitaleve dhe çdo gjë në këtë qytet ndryshoi.”

Universiteti Carnegie Mellon u bë qendër për novacione në informatikë dhe shkencat robotike, duke tërhequr biznese të reja në zonë. Universiteti i Pitsburgut i zgjeroi spitalet dhe fakultetet e mjekësisë, duke i shndërruar në Qendrën Mjekësore të Universitetit, me famë në botë për punën novatore në transplantimin e organeve, kërkimet për kancerin dhe pediatrinë. Shefi i kësaj qendre Jeffrey Romoff thotë se Pitsburgu shfrytëzoi burimet e tij për zhvillim:

“Pitsburgu e ndryshoi identitetin e tij gradualisht dhe krijoi një të ardhme të re për veten.”

Një re e tymit industrial mbështillte qytetin gjatë ditëve të lulëzimit të metalurgjisë. Sot pamja që të kap syri nga kodrat rrethuese është krejt e kthjellët. Një grataçelë e ngritur për zyrat e administrimit të industrisë së çelikut, tani ka inicialet e qendrës mjekësore të universitetit, punëdhënësi më i madh në qytet.

“Pitsburgu është shndërruar me vdekjen e industrisë së prodhimit industrial. Tani është bërë qytet i së ardhmes.”

Dan Onorato është zyrtari më i lartë i komunës: “Është një histori e ngjashme me histori të qyteteve të tjera në këtë vend. Ajo përkon me zhvillimet që po përjetojnë qytete të tjera, dhe që ne i kemi kaluar më parë, 20 apo 30 vjet të shkuara.”

Ai thotë se Presidenti Barak Obama zgjodhi Pitsburgun për të organizuar takimin e G-20 pasi është shembull i një ekonomie të diversifikuar dhe model për të tjerë. Tani Pitsburgu po përparon në energjinë alternativ, thotë zoti Sabino Mistick.

“Në mënyrë që të mbijetosh duhet t’i parashikosh prirjet e reja. Për ne, energjia është horizonti i së ardhmes.”

Duke hedhur vështrimin mbi Pitsburgun modern, ky banor i qytetit thotë se është me vend të ndjehesh krenar:

“Ka diçka madhështore në faktin që kemi arritur këtu nga pika ku ishim. Pra që ishim në një skëterrë të hapur, siç e ka thënë një shkrimtar dhe nga ajo lindi ky realitet.”

Udhëheqësit botërorë do të kenë shansin të shohin ku e ka burimin krenaria e banorëve të Pitsburgut me hapjen e takimit të G-20. //ad//

XS
SM
MD
LG