Lidhje

Arrestime dhe padi për terrorizëm në Shtetet e Bashkuara


Dje në Teksas, një jordanez 19 vjeçar u arrestua dhe u akuzua për tentativë për përdorim arme shkatërrimi në masë në qytetin e Dallasit. Zyrtarët thanë se Hosam Maher Husein Smadi u përpoq të vinte një bombë para një godine 60 katëshe me zyra. Sipas njoftimeve Smadi kishte deklaruar synimet e tij për luftë të shenjtë në Shtetet e Bashkuara.

Në Springfild të Ilinoit, agjentët federalë arrestuan një amerikan 29 vjeçar, Majkëll Finton, i njohur edhe si Talib Islam nën akuzat për tentative për vrasje të punonjësve federalë dhe për tentativë për përdorimin e një makine bombë në një gjykatë federale.

Të dyja arrestimet ishin rezultat i operacioneve të fshehta të FBI-së.

Në Bruklin të Nju Jorkut, zyrtarët bënë publike padinë ndaj Betim Kaziut, një shtetas amerikan që akuzohet për konspiracion për vrasje në një vend të huaj dhe për paisje me materiale mbështetëse për terroristët. Besohet se Kaziu ka udhëtuar në Kajro të Egjiptit dhe është përpjekur të blejë armë.

Ai mendohet se është përpjekur të shkojë Pakistan për stërvitje ushtarake, për t'u bashkuar me një grup kryengritës të njohur si Al-Shabbab, si edhe që të shkojë në Afganistan, Irak, dhe Ballkan për të luftuar kundër forcave amerikane. Kaziu u arrestua në Kosovë në vitin 2009.

Në një rast tjetër, një juri e madhe federale u shtoi tre padi të tjera akuzave kundër të dyshuarve për terrorizën në Karolinën e Veriut. Daniel Patrick Boyd dhe Zakariya Boyd janë shtetas amerikanë dhe Hysen Sherifi është banues me qëndrim të përhershëm, me origjinë nga Kosova.

Akuzat e reja përfshijnë konspiracion për vrasje të ushtarëve amerikanë dhe armëmbajtje pa leje.

Në korrik të tre këta persona ishin akuzuar me konspiracion për të furnizuar me materiale për të mbështetur terroristët, si edhe konspiracion për të vrarë, rrëmbyer dhe lënduar persona jashtë vendit.//kk//

XS
SM
MD
LG