Lidhje

Berisha: “Respektimi i kufijve  – interes jetik i shqiptarëve”


Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha sot në Prishtinë se ideali i shqiptarëve është bashkimi i tyre në Evropën e bashkuar. Ai i bëri këto komente në fillim të vizitës së tij të parë pas pavarësisë së Kosovës, të cilën e cilësoi si faktorin kryesor të qëndrueshmërisë në rajon.


Nënshkrimi i gjashtë marrëveshjeve dypalëshe që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave shënuan fillimin e vizitës dyditëshe në Kosovë të kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha i cili tha se Kosova e pavarur është faqja më e ndritur në historinë e kombit shqiptar. Ajo, tha ai, shënoi fundin e njërës prej padrejtësive më të mëdha të Evropës dhe pas rënies së murit të Berlinit është ngjarja më e madhe në historinë e lirisë së pasluftës së dytë botërore. Ai vlerësoi lartë zhvillimet që kanë ndodhur në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë së saj më 17 shkurt të vitit 2008.

“Në një kohë të shkurtër, Republika e Kosovës, një vend i vogël, po shndërrohet në një faktor të rëndësishëm paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal. Këto 20 muaj janë periudha më stabël që Ballkani ka pasur në 100 vitet e fundit”.

Kryeministri Berisha i siguroi udhëheqësit e Kosovës për mbështetje të fuqishme për shtimin e numrit të njohjeve ndërkombëtare, ndërsa bëri thirrje për respektimin e standardeve më të larta për trajtimin e pakicave kombëtare. Kryeministri Berisha tha se e kaluara e shqiptarëve në rajon është e veçantë dhe asnjë komb tjetër nuk kishte një histori aq të rëndë e të dhimbshme si popullit shqiptar.

“Historia në të shkuarën, madje edhe në të afërmen e saj, u soll si njerkë e pamëshirë ndaj nesh. Ajo na rezervoi ne shqiptarëve pushtime të gjata, spastrime çnjerëzore, copëtime të mëdha dhe të dhimbshme, racizëm primitiv, ksenofobira të egra, diktatura oruelliane. Ajo na rrëmbeu, toka, territore e pasuri. Mori qindra e mijëra jetë njerëzish. Por, më keq akoma. Na vrau kohën, na grabiti të ardhmen. Mirëpo, ne jo vetëm mbijetuam, por edhe fituem. Arritëm të mbrojmë vokacionin tonë perëndimorë, identitetin tonë kombëtar”.

Por, periudhat e vështira u pasuan me mbështetjen më të madhe ndërkombëtare në tërë historinë e shqiptarëve dhe tash ata janë të vendosur që e shkuara të mos zbehë të ardhmen e tyre evropiane, tha kryeministri Berisha.

“Sot në bindjen time më të thellë, interesi jetik kombëtar për çdo shqiptar, kudo që jeton është mos ndryshimi dhe respektimi i kufijve aktual ndërkombëtar të rajonit të Ballkanit, konsolidimi i pavarësisë së Kosovës nëpërmjet njohjes së mëtejshme ndërkombëtare të saj dhe ndërtimit të demokracisë të bazuar në vlerat e tregut. Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Perspektiva e sigurt dhe integrimi euroatlantik i Republikës së Kosovës, pra është bashkimi ynë në Evropën e bashkuar. Këto gjykoj së janë interesat më të mëdha, më jetike, më udhëheqëse për ne shqiptarët”, tha kryeministri Berisha.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili e dekoroi sot kryeministri Berisha me medaljen e artë të lirisë e cilësoi atë si një nga mbështetësit më të mëdhenj të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ndërsa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e cilësoi kryeministri Berisha si arkitektin e ndryshimeve në Shqipëri, realizuesin e ëndrrave të shqiptarëve për ndërtimin e autostradës Durrës Morinë, jetësues të anëtarësimit në NATO dhe mbështetësin e madh të pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri Berisha, i cili po qëndron për një vizitë dyditëshe në Kosovë, mori titullin “Doktor Honoris Causa” në Universitetin e Prishtinës, ndërsa të mërkurën pritet të marrë titullin qytetar nderi i Prizrenit, prej nga do të kthehet në Tiranë nëpër rrugën e re që lidhë të dyja vendet. //ii

XS
SM
MD
LG