Lidhje

Paralelet mes luftës së SHBA-së në Afganistan me luftën në Vietnam


Ndërsa gjendja në Afganistan bëhet më vdekjeprurëse dhe e ndërlikuar, administrata e Presidentit Obama e gjen veten përballë pyetjeve të vështira lidhur me strategjinë dhe politikën. Krahasimet mes përpjekjeve në luftën në Afganistan për të mposhtur talebanët dhe luftës së vitit 1960 për të mposhtur kryengritjen komuniste në Vietnam kanë qënë të shpeshta, veçanërisht përsa i takon pranisë amerikane në rritje. Por megjithëse ka ngjashmëri mes dy konflikteve, nuk mungojnë edhe ndryshimet.

Ndërkohë që 68 mijë trupa amerikane pritet të dislokohen në Afganistan deri në fund të këtij viti, misioni aktual po krahasohet me angazhimin amerikan para disa dekadash në Vietnam.

“Ajo që vura re në Afganistan ishte ngjashmëria jo vetëm me problemet e Irakut, por edhe me ato të Vietnamit vite më parë. Ne po bëjmë një luftë të ngjashme me atë që humbëm për arsye të ngjashme para gjysmë shekulli”.

Në Afganistan, aleatët amerikanë dhe të NATO-s po luftojnë kundër Talebanëve ashtu siç luftuan trupat amerikane ndaj guerriljeve Vietkongë, para 40 vjetësh.Disa nga armët janë të ngjashme. Por ndërsa uniformat dhe paisjet janë zhvilluar, taktika bazë e ndjekjes së një armiku të vështirë për t’u kapur pasi shkrihet me popullatën, mbetet e njëjta.

Koloneli në pension, Lerri Uilkerson, veteran i Vietnamit dhe shef personeli për ish-Sekretarin e Shtetit Kolin Pauell, thotë se paralelet mes dy konflikteve janë të theksuara, veçanërisht përsa i përket qeverive të korruptuara në Saigon dhe Kabul.

“Shoh të njëjtën prirje në Kabul. Shoh një udhëheqës të korruptuar, një udhëheqës që ka si nënpresident, ndoshta njërin nga njerëzit më të korruptuar në Afganistan. Shoh një udhëheqës që mund të ketë orkestruar apo të jetë përpjekur të orkestrojë shumicën e vet dërrmuese në zgjedhjet e fundit përmes mashtrimit dhe abuzimit. Shoh një problem të vërtetë”.

Presidenti Obama po shqyrton kërkesën për më shumë trupa të komandantit të tij në Afganistan, gjeneral Stenli Mekristal. Ajo që dikur quhej përshkallëzim, tani quhet shtim trupash.

Ngjashmëria më e madhe është ajo e strehave të sigurta. Talebanët arratiset përtej kufirit me Pakistanin, ku trupat amerikane nuk mund t’i kapin. Përpjekjet e Pakistanit për t’i spastruar ata, nuk kanë dhënë rezultat, thonë analistët. Presidenti Obama nuk mund të ndërhyjë në Pakistan për arsye diplomatike dhe politike, por ai ka vazhduar sulmet e avionëve pa pilot ndaj bazave Talebane.

Luftëtarët e Viet Kongut në vitet ’60 dhe ’70 fshiheshin dhe furnizoheshin nga Kamboxhia dhe Laosi në Vietnam. Presidenti Nikson bombardoi zonat e kufirit dhe pushtoi Kamboxhën në një përpjekje për të spastruar strehimet e tyre. Numri i trupave në Jugun e Vietnamit në atë kohë arriti nga 184 mijë në vitin 1965 në mbi 500 mijë deri në fund të vitit 1968.

Shtetet e Bashkuara kishin shërbim ushtarak të detyruar gjatë luftës së Vietnamit dhe kjo shkaktoi protesta kundër luftës. Sot, Shtetet e Bashkuara kanë një forcë ushtarake krejtësisht vullnetare dhe kjo sipas analistëve është arsyeja, që nuk ka patur demonstrata masive kundër luftës. Por Majkëll Ohenlon i Institutit Brookings thotë se mosbesimi publik rreth përpjekjeve afgane po rritet edhe brenda vetë partisë së Presidentit.

“E di që mbështetja e publikut amerikan për këtë luftë po bie. Njerëzit kanë pikëpyetje për nevojën e luftës në Afganistan, apo nëse po bëhet Vietnami i dytë”.

Mbi 58 mijë trupa amerikane humbën jetën në Vietnam. Më pak se një mijë trupa amerikane kanë vdekur deri tani në Afganistan. //iç//

XS
SM
MD
LG