Lidhje

Ruajtja e mjedisit nënujor dhe botës përreth


Shfrytëzimi i mjedisit nënujor dhe botës përreth tij ka sjellë mjaft dëme, por qeveritë, organizatat botërore dhe banorët vendas janë angazhuar në programe të ndryshme për të ndalur shpërdorimet dhe për të rigjallëruar këto ekosisteme. Në serialin e përjavshëm "Prirjet e Gjelbra", kolegia Isabela Çoçoli na sjell hollësi për kontrollin e nënujit në Britaninë e Madhe, për masivin e madh koralor në Australi dhe kreshtën koralore dhe pyjet përreth saj në Indonezi.


Ky mjet lundrues me një peshë prej më shumë se 12 milioin kilogramësh është pajisja më e çmuar e Britanisë së Madhe për të vëzhguar ekologjinë e oqeaneve. Anija Endeavour ku punojnë 19 shkencëtarë dhe një ekuipazh prej 16 antarësh përdoret për të monitoruar detet dhe peshkun.

Anija përdor teknologjinë "stealth", që zakonisht shfrytëzohet nga nëndetëset dhe anijet lundruese në sipërfaqe për të mbajtur vazhdimisht nën kontroll peshkun rreth Britanisë së Madhe.

Endeavour është e pajisur me një sonar të sofistikuar që u jep mundësi shkencëtarëve të dërgojnë sinjale nga tabani i detit që transformohen në imazhe tri dimensionale për kolonitë e peshqve në thellësi, në mënyrë që të merren masa që ato jo vetëm të mbijetojnë por edhe të shtohen.

****

Masivi i Madh Koralor në Australi është një koleksion mahnitës i jetës së nënujit dhe koraleve vezulluese. Por përveç faktit se është Park i Marinës dhe zonë e Trashëgimisë Botërore, masivi është edhe i kërcënuar nga praktikat e dëmshme të peshkimit, erozioni i dheut, zhvillimi bujqësor dhe shngjyrimi i shkaktuar nga ngrohja globale.

Në një raport të zyrtarëve të lartë të ruajtjes së mjedisit vihet në dukje se praktikat e këqia të peshkimit dhe ngrohja globale rezikojnë seriozisht zhdukjen e masivit aty nga viti 2030.

Masivi i Madh Koralor jo vetëm që është një nga thesaret më të mëdha natyrore të botës, por edhe një nga pasuritë më të vlefshme turistike të Australisë.

Përpjekjet e ruajtjes së këtij masivi janë tejet intensive me synimin që ai t'u lihet trashëgim brezave të ardhshëm që të kenë rastin të shohin bukurinë e tij.

****

Mjedisi i bukur nënujor në lindje të Indonezisë është në rrezik, prandaj fshatrat e peshkatarëve janë duke bashkëpunuar prej kohësh me organizatat e mjedisit për të sprapsur veprimtarinë shkatërruese prej vitesh të kreshtës koralore dhe pyjeve që e rrethojnë atë.

Popullata vendase ka rënë dakord për marrjen e masave për rigjallërimin e këtij mjedisi. Pas dekadash të tëra keqdrejtimi dhe peshkimi ilegal me dinamit, kreshta koralore është dëmtuar ndjeshëm.

Në të kaluarën edhe pyjet tropikale përreth ishin shfrytëzuar pa kriter. Këto bimë janë të domosdoshme për të penguar errozionin e tokës dhe shërbejnë për të mbrojtur botën e nënujit. Organziata Botërore e Florës dhe Faunës së bashku me vendasit kanë ndërmarrë një program ambicioz për plotësimin e këtyre pyjeve dhe gjallërimin e kreshtës koralore.

Nga bimët tropikale merren fara dhe vendosen në vazo lulesh. Pas gjashtë muajsh fidani mbillet në plazh dhe rezultati ka qënë i sukseshëm në 90 përqind të rasteve. //iç//


XS
SM
MD
LG