Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se virusi H1N1, ose gripi i derrit, është bërë lloji mbizotërues i gripit në botë.
Në një takim me gazetarët sot, Këshilltari i Posaçëm për Epidemitë e Gripit në Organizatën e Shëndetësisë, Dr. Keiji Fukuda tha se virusi H1N1 ka qenë veçanërisht aktiv në Hemisferën Veriore në muajt e fundit.
Ai tha se parashikon që kjo prirje të vazhdojë gjatë gjithë dimrit me më shumë raste të rënda dhe madje edhe vdekje.
Fukuda tha se vaksina që po përdoret aktualisht në rreth 20 vende në gjithë botën vazhdon të jetë efektive dhe e sigurt. Ai thotë se nuk janë njoftuar efekte anësore të rralla apo të rrezikshme.
Virusi H1N1 është ndryshe nga
gripi normal, sezonal, pasi ka rezistuar edhe në muajt e verës dhe ka prekur
njerëz të shëndetshëm nën moshën 65 vjeçare. Organizata Botërore e Shëndetësisë
thotë se shumë nga të prekurit e marrin veten pa u shtruar në spital. //ad//