Lidhje

Afganistan: 7 ushtarë afganë vriten gabimisht nga NATO


Qeveria afgane tha se një sulm ajror i NATO-s vrau gabimisht shtatë pjesëtarë të forcave afgane të sigurisë në provincën Bagdis. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Shon Maruni njofton nga Kabuli.

Forcat e NATO-s dhe ato afgane po hetojnë incidentin në Afganistanin perëndimor që la të vrarë disa pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë së vendit.

Më herët, NATO-ja tha se 25 ushtarë ndërkombëtarë dhe afganë ishin plagosur në atë zonë. Zyrtarët fillimisht fajësuan kryengritësit për viktimat, por më vonë thanë se ishte e mundur që ushtarët të jenë goditur nga gabimisht nga aleatët e tyre.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme afgane Zamari Bashari i tha Zërit të Amerikës se ky është një incident tragjik.

“Ne kemi humbur forca gjatë luftës për të vendosur sigurinë në Afganistan. Por një sulm i tillë nuk do ta dobësojë në asnjë mënyrë partneritetin tonë me forcat ndërkombëtare. Është e qartë se ky ishte një gabim.”

Ai shtoi se incidente të tilla janë të rralla, veçanërisht pasi Shtetet e Bashkuara vendosën kufizime të reja mbi sulmet ajrore në përpjekje për të shmangur viktimat civile.

“Strategjia e re në fakt ka funksionuar dhe ka ulur numrin e viktimave civile.”

Trupat po zhvillonin një operacion për gjetjen e dy ushtarëve të humbur amerikanë të cilët besohet të jenë mbytur.

Zyrtarët lokalë të policisë thonë se dy ushtarët i kishte marrë uji me vete të mërkurën ndërsa përpiqeshin të shpëtonin kutitë me furnizime që kishin rënë në ujë pasi ishin hedhur nga ajri.

Ky vit ka pasur numrin më të lartë të viktimave mes trupave ndërkombëtare në Afganistan që nga rënia e qeverisë talebane në vitin 2001. //bsa//

XS
SM
MD
LG