Lidhje

SHBA: Trafikimi i qenieve njerëzore, një shqetësim në rritje për komunitetet


Departamenti amerikan i Shtetit vlerëson se rreth 800 mijë viktima trafikohen çdo vit përmes kufijve ndërkombëtarë. Shtetet Bashkuara janë shpesh destinacioni për shumë prej këtyre viktimave, ku ata mbahen në kushte që veprimtarët e të drejtave të njeriut i konsiderojnë si skllavëri të kohëve moderne. Disa nga këto veprimtarë morën pjesë në konferencën dy-ditore të Marrëveshjeve të të Drejtave të Njeriut në Dejton, Ohajo, për të ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit për problemet me të cilat përballen viktimat. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kejn Farabau, konferenca u zhvillua këtë javë ndërkohë që organet e rendit janë angazhuar në një operacion mbarë kombëtar kundër trafikut të qenieve njerëzore.

Sharla Musabih i ka parë Emiratet e Dubait të transformohen nga një qytet i vogël, në një nga qytetet më të mëdha dhe me zhvillimin më të shpejtë në Lindjen e Mesme.

Rritja e Dubait e ka bërë atë destinacion për ca njerëz të varfër që kërkojnë punë. Sipas zonjës Musabih, qyteti ka tërhequr edhe kriminelë që kërkojnë viktima në botën e errët të trafikimit të qenieve njerëzore.

“Shumë gra po bien viktima të njerëzve që shkojnë në zonat rurale dhe u premtojnë atyre punë të mrekullueshme.”

Por sipas zonjës Musabih, këto punë të mrekullueshme shpesh përfundojnë në punë të detyruar dhe prostitucion.

Zonja Musabih ka drejtuar shpesh përpjekjet e vetme për të ndihmuar në luftën për të drejtat e viktimave të trafikimit në Dubai. Puna e saj u bë gjithnjë e më e vështirë ndërkohë që popullsia e Dubait rritej. Përpjekjet e saj kanë tërhequr vëmendje jo të favorshme në Dubai, prandaj ajo jeton tani në Shtetet e Bashkuara.

“Mendoj se e kam ngritur zërin shumë për viktimat. Dhe nxora në pah gjërat që po ndodhnin. Më nxorën jashtë dhe më përgojuan nëpër mjetet e informacionit.”

Zonja Musabih ndau disa nga eksperiencat e saj me organet e rendit dhe agjencitë sociale të mbledhura në Universitetin e Dejtonit në Ohajo për Marrëveshjet e Trafikimit Njerëzor. Drejtori i Programit të Universitetit për të Drejtat e Njeriut Mark Ensalako thotë se një prej synimeve të konferencës është zbardhja e këtij problemi në rritje në Shtetet e Bashkuara.

“Do të ishte gabim i madh nëse amerikanët do të mendonin se vepra penale e trafikimit njerëzor, apo skllavëria e kohëve moderne, kufizohet vetëm brenda Botës së Tretë. Ajo është kudo, ashtu si edhe në Shtetet e Bashkuara.”

Polaris Project, apo Projekti Polaris, është një nga organizatat më të mëdha kundër trafikut njerëzor në Shtetet e Bashkuara. Ai vlerëson se rreth 17 mijë e 500 shtetas të huaj trafikohen në Shtetet e Bashkuara çdo vit. Ata thonë gjithashtu se rreth 244 mijë të rinj të tjerë janë në rrezik për t’u shfrytëzuar gjithashtu.

Për ta luftuar këtë problem në rritje, zoti Ensalako thotë se nga fundi i tetorit, Byroja Federale e Hetimeve apo FBI-ja, filloi një operacion mbarë-kombëtar kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

“Ata arrestuan dhjetëra trafikantë dhe liruan më shumë se 50 femra që detyroheshin të punonin si prostituta. Shumë prej tyre ishin fëmijë në Ohajo, më e vogla ndër ta ishte 10 vjeç.”

Zoti Ensalako thotë se arrestimet e fundit konfirmojnë faktin se realiteti i trafikimit nuk është vetëm problem ndërkombëtar, por edhe lokal, që prek çdo komunitet në Shtetet e Bashkuara. Zoti Ensalako shpreson se konferenca do të jetë një nga të shumtat që do të edukojnë publikun si dhe organet e rendit për të arritur objektivin e përfundimit të trafikimit të qenieve njerëzore. //bsa//

XS
SM
MD
LG