Lidhje

Përfunduan zgjedhjet lokale në Kosovë



Në orën 19 janë mbyllur kutitë e votimit dhe me këtë ka përfunduar raundi i parë i votimeve për pushtetin komunal në Kosovë, të parat zgjedhje që nga shpallja e pavarësisë së vendit. Tashmë ka filluar numërimi i votave dhe mesnata e sontme mund të jetë periudhë e shpalljes së rezultateve të para të zgjedhjeve të sotme.

Komisioni qendror i Zgjedhjeve, bëri të ditur se në zgjedhjet e sotme kanë marrë pjesë 45.36 e votuesve, përkatësisht mbi 709 mijë qytetarë nga gjithsejtë 1 milion e 560 mijë syresh të regjistruar me të drejtë vote. Kjo pjesëmarrje shënon një ngritje për dallim nga zgjedhjet e kaluara të nëntorit të vitit 2007, kur ishte shënuar numri më i vogël i votuesve në të gjitha zgjedhjet e pasluftës në Kosovë dhe në atë proces kishin marrë pjesë rreth 630 mijë qytetarë.

Që në orën 7 janë hapur 98 për qind e vendeve të votimit përveç në veriun e banuar me shumicë serbe dhe për këtë arsye, KQZ-ja vuri në zbatim mundësinë rezervë - vendvotimet lëvizëse. Një vendvotim i tillë u largua nga komuna e Zubin Potokut në veri, kur një grup prej dhjetëra banorësh serbe protestuan kundër pranisë së tij.

Policia tha se nuk ka pasur incidente të tjera për t’u shënuar ndërsa 5 mijë pjesëtarë të saj janë angazhuar në ruajtjen e qetësisë.

Edhe zyrtarët e Komisionit qendror të Zgjedhjeve thanë se procesi ka kaluar pa probleme të mëdha me gjithë disa ankesa të subjekteve të ndryshme politike që kanë të bëjnë kryesisht me përpjekje sporadike për votim të dyfishtë, problemet me identifikimin e vendvotimeve etj. Autoritetet e Komisionit thanë se ankesat e deritashme nuk janë të përmasave që mund të dëmtojnë procesin i cili po vëzhgohet nga mbi 20 mijë vëzhgues përfshirë edhe disa qindra vëzhgues ndërkombëtarë.

Qytetarët e Kosovës votuan sot për kryetarët e 36 komunave dhe anëtarët kuvendeve komunale, mandati i të cilëve do të zgjasë katër vjet. Derisa deputetët e Kuvendeve komunale zgjidhen me sistemin proporcional, kryetarët e komunave do të zgjidhen sipas sistemit të shumicës.

Postin e kryetarit të komunës në rrethin e parë, e fiton ai që siguron 50 për qind plus një votë, ndërsa nëse kjo nuk arrihet organizohet raundi i dytë ndërmjet dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota. Gjykuar nga numri i madh i kandidatëve, besohet se shumica e komunave do të kalojnë nëpër raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahen më 13 dhjetor.

Autoritetet i vlerësojnë zgjedhjet e sotme si historike

Zgjedhjet e sotme ndonëse për pushtetin komunal, janë cilësuar me rëndësi historike për Kosovën. Udhëheqësit politik të vendit thanë se këto zgjedhje janë sprovë e shkallës së demokracisë dhe pjekurisë politike të shtetit të ri.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha pas votimit se dita e sotme është me peshë të veçantë për të gjithë qytetarët e vendit. “Mund t’ju them se sot është një ditë historike për Kosovën. Janë zgjedhjet e para pas pavarësimit të vendit. Dëshiroj që sikur që ka qenë fryma e përgjithshme gjatë fushatës paraelektorale e mirë, edhe kjo ditë të përmbyllet mirë. Ka qenë një konkurrencë e mirë e kandidatëve, e partive politike dhe ka qenë një dinamikë shumë e gjallë e pjesëmarrjes së qytetarëve në tubimet që ato kanë organizuar. Do të dëshiroja që sot Kosova vërtet të jetë në ditë feste, të jetë me një pjesëmarrje masive të të gjithë qytetarëve dhe të kapërcejë edhe një pjesë të pengimit që kanë vendet e Evropës me pjesëmarrjen e qytetarëve. Në të njëjtën kohë do të dëshiroja që edhe pjesëtarët e komuniteteve pakicë, në këtë rast të komunitetit serb, të marrin pjesë masivisht, për arsye se është një shans i madh edhe për ta që të jenë akterë të jetës sonë të përditshme, pra edhe jetës institucionale”, tha presidenti Sejdiu

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se dita e sotme është më e rëndësishmja pas ditës së shpalljes së pavarësisë së vendit. “Kjo është ditë historike, dita e votimit të parë të qytetarëve të Kosovës, në shtetin e pavarur, sovran, demokratik dhe multietnik. Të gjithë kemi sakrifikuar shumë për këtë ditë. Prandaj është një ngjarje historike, dhe unë dua të besoj fuqishëm se të gjithë do të bëhemi pjesë e kësaj historie të re të shtet ndërtimit, të ndërtimit të demokracisë së re, të një shoqërie moderne dhe shumetnike. Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj. Përgëzoj të gjithë qytetarët për pjesëmarrje në zgjedhje, të gjitha komunitetet. Ne sot po dëshmojmë se vendi ynë e ka merituar pavarësinë, se qytetarët tanë e kanë merituar pavarësinë, rendin demokratik dhe perspektivën evropiane”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar pjesëmarrjes së pjesëtarëve të komunitetit serb në këto zgjedhje. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Christopher Dell u shpreh i kënaqur me faktin se mijëra qytetarë të komunitetit serb dolën në votime me gjithë porositë kundër këtyre zgjedhjeve që u janë dërguar atyre nga autoritetet në Beograd. Ambasadori Dell tha se dalja në votime që në orët e mëngjesit ishte trimëruese. “Duket se ka më shumë votues këtu sesa që kishte në një shkollë që vizitova në qendër të Prishtinës”, tha ambasadori Dell, i kënaqur që pjesëtarët e komunitetit serb po marrin pjesë në votime për të zgjedhur drejtuesit e komuna të reja.

Një nga kandidatët për postin e kryetarit të Gracanicës, Momcillo Trajkovic nga Lëvizja Serbe e Rezistencës, tha se dalja në zgjedhje është një e keqe më e vogël sesa mos dalja në votimet për komunën e re, ndërsa hodhi poshtë vlerësimet e përfaqësuesve politikë serb të veriut të Kosovës sipas të cilëve pjesëmarrja në zgjedhjet e sotme nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës. “Pavarësisht që kemi dalë në zgjedhje në nuk e njohim pavarësinë e Kosovës, por pranojmë institucionet që na mundësojnë të jetojmë normalisht. Çështja e statusit është çështje e politikës së lartë”, tha Momcillo Trajkoviç.

Edhe nënkryetarja e Këshillit Kombëtar serb, Rada Trajkovic, tha se këto zgjedhje krijojnë mundësi për vendosjen e vetë qeverisjes funksionale. “Tash e dhjetë vjet, serbët nga Kosova ndjejnë nevojën dhe lufta ime ishte që të krijohet një pushtet i zgjedhur i ligjshëm e funksional që do të përfaqësonte dhe bashkërendonte kërkesat e qytetarëve serb”, tha zonja Trajkovic.

Numri më i vogël i votuesve është shënuar në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, në disa prej të cilave madje nuk kishin marrë pjesë as një për qind e votuesve.

Ndërkaq, në komunat me shumicë serbe në pjesën tjetër të Kosovës është shënuar një shtim i votuesve për dallim nga herët e kaluara, madje në disa syresh ka pasur më shumë votues nga ç’kishte në zgjedhjet e organizuara nga qeveria serbe.

Zgjedhjet e sotme do të jenë më ndikim të madh në procesin e decentralizimit të pushtetit i cili parasheh krijimin e pesë komunave me shumicë serbe. Vëzhguesit e pavarur vlerësojnë se zgjedhjet e sotme janë me rëndësi për Kosovën e cila duhet të dëshmojë para bashkësisë ndërkombëtare, se është e aftë të organizojë zgjedhje, t’i drejtojë ato dhe të respektojë rezultatet e tyre. Sipas analistëve, rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të ushtrojë ndikim edhe në zgjedhjet e radhës për pushtetin qendror, e mbase edhe në të ardhmen e koalicionit aktual qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.


XS
SM
MD
LG