Lidhje

Holder mbron vendimin për gjykimin e të dyshuarve për terrorizëm


Prokurori i përgjithshëm amerikan Erik Holder e mbrojti vendimin e tij për të gjykuar në një gjykatë federale në Nju Jork Khalid Shiekh Mohammed dhe katër të dyshuar të tjerë për organizimin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Përballë pyetjeve të vështira nga anëtarët republikanë të komisionit për drejtësi, dje zoti Holder hodhi poshtë shqetësimet se një gjykim publik dhe civil do t’u jepte terroristëve të dyshuar platforma për të shprehur pikëpamjet e tyre anti-amerikane. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Sindi Saine njofton nga kongresi amerikan.

Prokurori i përgjithshëm Erik Holder i hodhi poshtë kritikat nga udhëheqësit republikanë mbi vendimin e tij për përdorimin e një gjykate federale në Manhatan për të gjykuar pesë të akuzuarit për planfikimin e sulmeve mbi Qendrën Tregëtare Botërore dhe Pentagonin tetë vite më parë.

Zoti Holder tha se i dyshuari për organizimin e sulmeve të 11 shtatorit, Khalid Sheikh Mohammed, nuk do të kishte platformë më të madhe për retorikën e tij urryese në një gjykatë civile se sa në një gjykatë ushtarake në Guantanamo Bej.

“Unë kam besim se vendi ynë dhe bota do ta ketë rastin të shohin se sa frikacak është ai. Unë nuk jam i frikësuar nga ajo që do të thotë Khalid Sheikh Mohammed gjatë gjykimit, dhe po ashtu askush tjetër nuk duhet të frikësohet nga kjo.”

Prokurori Holder tha se gjykatësit federalë i kontrollojnë dhomat e gjykatave, dhe ata mund të kontrollojnë çdo sjellje të padisiplinuar nga të akuzuarit. Ai gjithashtu hodhi poshtë akuzat e disa ligjvënësve republikanë që thonë se një proces gjyqësor publik dhe civil do të rrezikonte sigurinë kombëtare.

Por anëtarët republikanë të komisionit të senatit për drejtësi dhe republikanë tjerë nuk janë dakord me vendimin e zotit Holder dhe presidentit Barak Obama për përdorimin e gjykatave civile për gjykimin e të dyshuarve për terrorizëm.

Prokurori i përgjithshëm Erik Holder hodhi poshtë sugjerimet se ai nuk mendon se Shtetet e Bashkuara janë ende në luftë kundër al-Kaidës.

Senatori republikan Lindzi Graham tha se ai është i brengosur që gjykimi i të dyshuarve për organizimin e sulmeve të 11 shtatorit në një gjykatë federale do të krijonte një precedent shumë shqetësues për të ardhmen, dhe ngriti pyetjen nëse udhëheqësit të al-Kaidës Osama bin Ladenit do t’i jepen të njëjtat të drejta civile për gjykim si çdo qytetar amerikan.

“Për mua problemi i madh është se me këtë veprim po kriminilazohet lufta jonë. Po e kapëm bin Ladenin, ateherë ne do jemi në dilemë me teoritë e gjykimit, dhe nuk mund ta dorëzojmë atë tek CIA, FBI-ja, apo shërbimet ushtarake të zbulimit për marrje në pyetje mbi luftën sepse ne po themi se tani ai është temë e gjykatës penale në Shtetet e Bashkuara, gjë e cila do të shkaktonte konfuzion tek njerëzit tanë që po luftojnë këtë luftë.”

Prokurori i përgjithshëm Erik Holder tha se ai nuk mund të thotë se si dhe ku do të gjykohej Osama bin Ladeni nëse ai do të kapej.

Ai tha se në rastin e organizatorëve të sulmeve të 11 shtatorit ai do të këkonte ndëshkimin maksimal, përkatësisht dënimin me vdekje.

XS
SM
MD
LG