Lidhje

Presidenti  Barak Obama shpalos strategjinë e rishikuar të luftës në Afganistan


Pas disa muajsh pune, preidenti Obama ka njoftuar planin e tij për dislokimin e trupave shtesë në Afganistan. Ai shpalosi strategjinë e tij në Akademinë Ushtarake Amerikane West Point në Nju Jork mbrëmjen e së martës, ndërkohë që mbarë vendi ndoqi fjalimin në televizion.

“30 mijë trupat shtesë që po njoftoj sonte do të dislokohen në pjesën e parë të vitit 2010 me shpejtësinë më të madhe të mundur, që ata të mund të vënë nën shënjestër kryengritësit dhe të sigurojnë qendrat kryesore”.

Forcat shtesë do tu shtohen rreth 68 mijë trupave që ndodhen në Afganistan dhe disa dhjetëra mijëra trupave aleate. Presidenti mbajti fjalimin ndërkohë që mbështetja amerikane për luftën vazhdon të bjerë. Një anketë e re nga organizata Gallup tregon se vetëm 35 përqind e amerikanëve të anketuar mbështesin mënyrën sesi presidenti Obama po trajton luftën, 55 pëqind janë kundër.

Në fjalimin e tij, zoti Obama tha se Afganistani nuk ka humbur por ka bërë hapa prapa për disa vite. Ai tha se Al Kaida po planifikon akte të reja terrori nga streha e sigurtë përgjatë kufirit Afgano-Pakistanez me mbështetjen e Talebanëve.

“Ne duhet ti mohojmë Al Kaidës një strehë të sigurtë. Ne duhet të zbrapsim mësymjen Talebane dhe refuzojmë mundësinë për të përmbysur qeverinë. Ne duhet të forcojmë kapacitetin e forcave afgane të sigurisë dhe qeverisë në mënyrë që ato të marrin përgjegjësinë kryesore për të ardhmen e Afganistanit.”

Presidenti u kërkoi vendeve aleate që të kontribojnë me më shumë trupa për të luftuar në Afganistan dhe tha se ai ka besimin se ato do ta bëjnë këtë.

“Miqtë tanë kanë luftuar, derdhur gjakun dhe dhënë jetën përkrah nesh në Afganistan. Tani duhet të bashkohemi për ti dhënë fund kësaj pune me sukses. Ajo që sot vihet në provë, nuk është kredibiliteti i Natos por siguria e vendeve aleate dhe mbarë botës.”

Zoti Obama tha se strategjia e tij do të mundësojë kthimin e trupave në Amerikë nga mesi i vitit 2011, në varësi të kushteve në terren. Ky aspekt i planit mesa duket do të shkaktojë kundërshtime nga republikanët në kongres, shumë prej të cilëve janë kundër caktimit të datës për tërheqjen.

“Sëbashku, trupat shtesë amerikane dhe ndërkombëtare do të na lejojnë ne të shpejtojmë kalimin e përgjegjësive tek forcat afgane dhe na mundëson fillimin e transferimit të trupave amerikane jashtë Afganistanit në korrik të vitit 2011.”

Një mision i rendësishëm i trupave do të jetë trajnimi i forcave afgane që të marrin përsipër luftën kundër Talebanëve dhe të mbrojnë sigurinë e vendit të tyre. Ndërkohë që shumica e Talebanëve ndodhen në Pakistan, presidenti theksoi nevojën e vazhdimit të partneritetit me qeverinë e Islamabadit.

Nismat civile do të luajnë një rol të madh në strategjinë amerikane, kryesisht në zhvillimin e bujqësisë së rajonit, arsimin dhe ekonominë. Zoti Obama tha gjithashtu se Uashingtoni do të kërkojë përmirësimin e qeverisjes nga Afganistani dhe Pakistani.

“Ne do të punojmë me partnerët, Kombet e Bashkuara dhe popullin e Afganistanit për të arritur një strategji civile më efikase, në mënyrë që qeveria të përfitojë nga përmirësimi i sigurisë. Kjo përpjekje duhet të bazohet mbi efektshmërinë e qeverisjes.”

Presidenti tha se strategjia e re në Afganistan do ti kushtojë Amerikës rreth 30 miliard dollarë në vitin që vjen dhe tha se do të punonte nga afër me Kongresin për të adresuar koston ndërkohë që mundohet të rimëkëmbë ekonominë e përfshirë nga recesioni. Gjatë muajve të fundit zoti Obam zhvilloi disa takime me këshilltarët e tij ushtarakë dhe të politikë, përfshi komandantë nga vija e frontit në Afganistan. //kh//

XS
SM
MD
LG