Lidhje

Ofensivë e forcave afgane dhe aleatëve në Afganistanin jugor


Marinsat amerikanë avancuan sot më në thellësi në territorin ku ndodhet një bazë e rëndësishme talebane në Afganistanin jugor, në kuadër të një ofensive që ka për qëllim ndërprerjen e furnizimit të tyre.

Operacioni i njohur me emrin Zemërimi i Kobrës, filloi dje në qytetin e Nou Zad-it, në provincën e Helmandit.

Kjo është ofensiva e parë e udhëhequr nga forcat amerikane që kur Presidenti Barak Obama njoftoi strategjinë e re të Shteteve të Bashkuara për luftën në Afganistan.

Në këtë operacion marrin pjesë rreth 1 mijë marinsa amerikanë, 150 ushtarë afganë dhe një numër i papërcaktuar trupash britanike.

Zyrtarët thanë se këto forca vranë katër militantë talibanë në ditën e parë të operacionit si dhe çaktivizuan qindra mina e lëndë shpërthyese.

Nuk janë njoftuar dëme mes forcave ndërkombëtare dhe atyre të qeverisë afgane.

Nou Zad, dikur qyteti i dytë më i madh në provincën Helmand, thuajse është boshatisur, pasi banorët janë larguar për t’i shpëtuar dhunës. Forcat talebane e përdorin këtë zonë për të transportuar drogë, armë dhe luftëtarë. //mm//

XS
SM
MD
LG