Lidhje

Presidenti Obama pranon çmimin Nobel të Paqes



Presidenti Barak Obama morri sot zyrtarisht Çmimin Nobel të Paqes, në një ceremoni të organizuar në Oslo të Norvegjisë. Në fjalën e tij të pranimit të çmimit Presidenti foli gjatë rreth rrethanave që i shtyjnë vendet në luftë, ndërkohë që u bëri thirrje atyre të kërkojnë paqe.

Presidenti Obama tha se e pranon çmimin e paqes me përulje, i vetëdijshëm për debatet që shoqëruan vendimin e Komitetit të Çmimit Nobel.

"Pjesërisht kjo u bë meqë unë jam në fillim dhe jo në fund të punës sime në skenën botërore. Krahasuar me disa nga gjigandët e historisë që e kanë marrë këtë çmim – Schweitzer dhe Kingu; Marshalli dhe Mandela – arritjen e mia janë të pakta".

Por ai shtoi se çështja më e rëndësishme që shoqëron këtë çmim është fakti se ai është udhëheqësi i një vendi i përfshirë në dy luftra.

"Ne jemi në luftë dhe unë jam përgjegjës për dislokimin e mijra të rinjve amerikanë në betejë në një vend të largët. Disa do vrasin. Disa do të vriten. Dhe unë vij këtu me vetëdijen e kostos së konflikteve të armatosura – i mbushur me pyetje të vështira rreth luftës dhe paqes, si dhe përpjekjes sonë për ta zëvendësuar njerën me tjetrën".

Ai tha se rezistenca pa dhunë që organizoi fituesi i Çmimit Nobel të Paqes për vitin 1964, Martin Luther Kingu, nuk duhet konsideruar si dobësi.

Megjithatë zoti Obama tha se kjo nuk është rruga e vetme. Ai tha se nuk mund të mos reagojë përballë kërcënimeve me të cilat përballet populli amerikan.

"Një lëvizje jo e dhunshme nuk do ta kishte ndalur ushtrinë e Hitlerit. Negociatat nuk mund të bindin udhëheqësit e Al-Kaidës të dorëzojnë armët. Të thuash se ndonjëherë forca është e nevojshme, nuk është thirrje për cinizëm – është të pranosh historinë; me të metat e njerëzimit dhe kufijtë e arsyes".

Fjalimi i tij përpara personaliteteve në bashkinë e Oslos vjen vetëm nëntë ditë pasi presidenti urdhëroi 30 mijë trupa shtesë në Afganistan. I vetdijshëm për pozicionin kundërthënës të ngjarjeve, presidenti u përqëndrua në nocionin e “luftës së drejtë” dhe konceptin e paqes së qëndrueshme.

"Duhet të fillojmë duke pranuar të vërtetën e hidhur se konfliktet e dhunshme nuk do të zhduken në ditët tona. Do të ketë raste kur vendet – të vetme ose në grup, do të vendosin se përdorimi i forcës është jo vetëm i nevojshëm por moralisht i justifikueshëm".

Ai u bëri jehonë fjalëve të ish presidentit amerikan John Kennedy, i cili pesë dekada më parë foli për një paqe realiste dhe më të kapshme.

Presidenti tha se rregullat dhe institucionet janë të nevojshme për të kontrolluar veprimet ushtarake. Ai përmendi nevojën për vendosjen e standarteve në mënyrë që të gjitha vendet të përmbushin detyrimet ndërkombëtare.

Presidenti tha se përpjekja për paqe duhet të përfshijë krijimin e institucioneve të fuqishme dhe mbrojtjen e të drejtave njerëzore.

Por ai shtoi se ka një element tjetër të rëndësishëm për një botë më të paqshme.

“Nuk besoj se do të kemi vullnetin për të përfunduar këtë detyrë pa diçka tjetër – zgjerimin e vazhdueshëm të imagjinatës morale; këmbënguljen se ka disa vlera të larta që i ndajmë të gjithë".

Në njoftimin për zgjedhjen e fituesit të Çmimit të Paqes 2009, Komiteti Nobel citoi përpjekjet e presidentit për forcimin e diplomacies ndërkombëtare dhe bashkëpunimin. Aty thuhet se presidenti ka kapur imagjinatën e botës me mesazhin e tij për paqe.

Megjithatë çmimi është kritikuar si i parakohshëm nga disa dhe anketat e opinionit publik në Shtetet e Bashkuara tregojnë se amerikanët besojnë se çmimi ka ardhur shumë shpejt.

Ndërsa presidenti filloi vizitën e tij në Oslo një grup norvegjezësh shprehën të njëjtën pikëpamje. Ata u mblodhën përpara Institutit Nobel ndërsa presidenti nënshkroi librin e vizitorëve. Ata hodhën parrullat – Obama e fitove, tani duhet ta meritosh. //rd//

XS
SM
MD
LG