Lidhje

Sfidat ndaj shëndetit publik gjatë vitit 2009


Virusi H1N1, i cili gjithashtu njihet me termin “Gripi i Derrave”, ishte ngjarja kryesore në fushën e mjekësisë për vitin 2009. Në muajin mars, ky virus tërhoqi vëmendjen e zyrtarëve të Meksikës, ku në Verakruz u njoftua për një sëmundje me simptomat e gripit. Transmetimi i virusit ishte kaq i shpejtë, saqë deri nga mesi i qershorit, Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi epideminë e parë të gripit në më tepër se 4 dekada. Më poshtë disa nga sfidat kryesore nga fusha e mjekësisë gjatë vitit 2009.

Virusi A-H1N1

Në fillim të vitit 2009, Meksika u bë qendra e një epidemie misterioze. Një sëmundje e rëndë e rrugëve të frymëmarrjes po prekte të rinjtë, ndryshe nga viruset e gripit që zakonisht prekin të moshuarit.

Zyrtarët e shëndetësisë në Meksikë dhe në SHBA mbetën të habitur nga virusi, një kombinim i elementëve të gripit të njerëzve, gripit të derrave dhe atij të shpendëve.

Në fillim atë e quajtën Gripi i Derrave, por disa muaj më vonë ekspertë të shëndetit publik filluan ta quajnë me termin e saktë: A-H1N1. Ngaqë Meksika është një destinacion popullor për turistët, Gripi i Derrave u përhap me shpejtësi përtej Amerikës Veriore, në pjesë të Evropës dhe Azisë.

Doktoresha Margaret Chan, Drejtoreshë e Përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, filloi të japë një seri informacionesh të përditshme lidhur me virusin A-H1N1, ndërsa ai përhapej në vende të ndryshme të botës. Më 11 qershor, ajo njoftoi se gripi ishte shndërruar në një epidemi.

"Virusi po përhapet, ndërsa ne e kemi nën mbikqyrje të plotë. Asnjë epidemi e mëparshme nuk është dalluar që një fillimet e saj."

Organizata Botërore e Shëndetësisë i autorizoi prodhuesit e ilaçeve të fillonin provat me vaksinat dhe një muaj më vonë filluan provat e vaksinimit tek njerëzit. Deri në tetor, vaksinat e para iu shpërndanë punonjësve të shëndetësisë, grave shtatzënë, të rinjve dhe njerëzve me sëmundje të ndryshme.

Anne Shushat është drejtoreshë e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

"Me prodhimin e vaksinave të tjera, do të përmirësohet edhe procesi i vaksinimit të një numri më të madh njerëzish."

Deri nga fundi i dhjetorit, Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi për vdekjen e më tepër se 10 mijë njerëzve nga virusi A-H1N1, shumica e tyre në Afrikën e Veriut. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se një numër i madh vendesh nuk po i numërojnë më rastet kur sëmundja nuk është e rëndë.

Virusi u zbut nga fundi i vitit në Afrikën Veriore dhe në Evropë. Por disa ekspertë thonë se në fillim të vitit të ri ai mund të fuqizohet përsëri.

Pikëpyetje për përfitimet nga mamograma

Në SHBA, rekomandimet e reja të një ekipi ekspertësh për analizën e mamogramës, shkaktoi një debat lidhur me kancerin e gjirit dhe mënyrat e parandalimit. Për disa dekada, grave amerikane u thuhej të fillonin analizën e mamogramës që në moshën 40 vjeçare, në kuadrin e analizave për të dalluar kancerin e gjirit.

Por ekipi për parandalimin e sëmundjeve këshillonte që gratë e moshës 40 vjeçare të mos e fillojnë kryerjen e mamogramës para moshës 50 vjeçare dhe pas kësaj moshe, të planifikojnë këtë analizë një herë në dy vjet.

Në fund të nëntorit, shumë mjekë amerikanë thanë se nuk ishin dakord me udhëzimet e reja për këtë çështje. Mjekët si Sharon Rosenbaum, e Spitalit Rosvelt të Shën Lukës, të Nju Jorkut, thanë se do t’i këshillonin pacientët të mos i merrnin parasysh rekomandimet.

"Gratë duhet të fillojnë të bëjnë mamograme që në moshën 40-vjeçare. Mamogramet e dallojnë kancerin që në fazat e hershme."

Pas reagimit të ashpër të publikut, Sekretarja për Shëndetësinë dhe Shërbimet Humane, Kathleen Sebelius i këshilloi pacientët të qetësohen dhe të bisedojnë me mjekun e tyre.

"Këshillohuni për gjendjen shëndetësore me mjekun tuaj, me familjen, kjo është e rëndësishme."

Ritmet e vetëvrasjeve në radhët e ushtarëve amerikanë

Nga fundi i 2009-ës, numri i vetëvrasjeve në radhët e ushtrisë amerikane arriti në nivele rekord. Personeli i ushtrisë parashikoi se numri i rasteve të vetëvrasjeve do të jetë edhe më i madh se gjatë vitit 2008. Ushtria filloi një studim lidhur me shkaqet e mundshme të vetëvrasjeve.

Zëvendës shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Piter Çiarelli tha se personeli i ushtrisë duhet të jetë më këmbëngulës në trajtimin e ushtarëve me probleme mendore.

"Është plotësisht e papranueshme që ushtarët vuajnë në heshtje, ngaqë kanë frikë se mos i tallin shokët, apo komandantët, apo më keq akoma, që kjo do të dëmtojë karrierën e tyre."

Vdekshmëria tek fëmijët

Viti 2009 pati edhe lajme shpresëdhënëse. Në shtator OKB-ja tha se numri i vdekjeve mes fëmijëve nën moshën 5 vjeçare është pakësuar krahasuar me një vit më parë.

Një raport i OKB-së thonte se ishte hera e parë që vdekjet e fëmijëve kishin arritur nivelin më poshtë se 9 milionë. Si arsye për këtë arritje, u citua shtimi i vaksinimeve, përdorimi më i madh e rrjetave me insekticide për parandalimin e malaries, programet për promovimin e ushqyerjes me qumësht gjiri dhe trajtimi më i mirë i dieresë dhe penumonisë. //ad//

XS
SM
MD
LG