Lidhje

SHBA, plane për të forcuar masat kundër terrorizmit


Qeveria amerikane i shtoi dhjetra emra të tjerë listës së personave të dyshuar për terrorizëm, pas incidentit të Ditës së Krishtlindjes, kur një nigerian u përpoq të shpërthente lëndë eksplozive në një avion amerikan. Duke komentuar dje për këtë çështje, Presidenti Barak Obama vuri në dukje gabimet që u bënë dhe se ç’masa mund të merren në të ardhmen për të parandaluar ngjarje të tilla.

Në aeroporte kudo në botë, njerëzit po i nënshtrohen masave më të rrepta të kontrollit, por shumë prej tyre kjo nuk i shqetëson.

Presidenti Obama foli dje për planet e administratës pas incidentit në avionin që udhëtonte nga Amsterdami në Detroit.

"Ashtu si al-Qaida dhe aleatët e saj po i ndryshojnë dhe përshtasin përpjekjet për të na goditur, edhe ne duhet të veprojmë ashtu për t’i mposhtur ata," tha Presidenti.

Presidenti Obama u takua në Shtëpinë e Bardhë me 20 zyrtarë të lartë të sigurisë të cilët i kishte udhëzuar të analizonin me kujdes atë që ndodhi Ditën e Krishtlindjes. Pyetja kryesore: Përse u lejua nigeriani Umar Farouk Abdulmutallab të hipte në avion, kur i ati i tij, biznesmen i njohur, u kishte thënë zyrtarëve amerikanë se e shqetësonin pikëpamjet gjithnjë e më ekstremiste të të birit?

Presidenti Obama tha se në këtë pikë, sistemet e zbulimit dështuan.

"Përfundimi është se qeveria amerikane kishte informacionin e mjaftueshëm që komploti të zbulohej dhe që incidenti i Ditës së Krishtlindjeve të parandalohej por zbulimi ynë nuk mundi t’i bashkojë të gjitha hallkat, përndryshe personi i dyshuar do të ishte vënë në listën e personave që nuk lejohet të fluturojnë."

Zoti Obama shpalli plane për koordinimin më të mirë të mënyrës së grumbullimit të informacionit, për forcimin e masave të kontrollit dhe për rifreskimin e listës së atyre që nuk duhet të lejohen të fluturojnë apo që dyshohen si terroristë.

Megjithatë, jo të gjithë pasagjerët përballen me radhë të gjata nëpër aeroporte. Ata që udhëtojnë me linjën ajrore izraelite El Al presin më pak dhe kjo në sajë të një makine që skanon pasaportat, shenjat e gishtave dhe kartat e ashtuquajtura UNIPASS ku janë regjistruar në mënyrë elektronike të dhënat personale të udhëtarëve.

Tani që nigeriani Abdulmutallab pret të dalë në gjyq, Departamenti i Shtetit njoftoi dje se atij dhe individëve të tjerë u janë hequr vizat amerikane.

XS
SM
MD
LG