Lidhje

Lënia e duhanit, me pak probleme. Skanimi, pa rrezik për shëndetin


Lënia e duhanit, me pak probleme

Gjithkush e di se duhani shkakton probleme shëndetësore - por a ka gjasa që lënia e duhanit të shkaktojë sëmundje? Një studim bazuar mbi këtë argument tregon se ata që lënë duhanin fillimisht përballen me disa rreziqe.

Studimi u krye nga shkencëtarë në universitetin Johns Hopkins dhe morri në shqyrtim më shumë se 10.000 njerëz me moshë mesatare. Gjatë studimit u konfirmuan dy fakte; ata që pinë duhan dhe ata që sapo e kanë lënë duhanin ishin në rrezik më të madh për t'u prekur nga diabetit i tipit 2.

Në krahasim me ata që kurrë nuk kanë tymosur ndonjëherë, duhanpirësit e tanishëm janë 31% më shumë në rrezik ndaj diabetit, por ata që sapo e kishin lënë duhanin rreziku ishte edhe më i madh - 73%.

Për të shpjeguar këtë, shkencëtarët spekullojnë se kur lihet duhani, personi shton në peshë dhe përkohësisht rrit gjasat për të zhvilluar diabet.

Por studimi tregoi se rreziku i diabetit tek ata pakësohet sa më shumë kohë kalon nga dita e lënies së duhanit.

Ekspertët pajtohen se kërcënim i duhanit ndaj shëndetit është aq i madh sa që është gjithmonë mirë për ta lënë atë. Njerëzit e shqetësuar për rritjen afat-shkurtër të rrezikut të diabetit, pas lënies së duhanit, duhet të kontrollojnë dietën e tyre, të shtojnë ushtrimet fizike, për të mos u bërë mbipeshë, si dhe të kontrollojnë rregullisht nivelin e sheqerit në gjak për t'i paraprirë rrezikut të diabetit.

Skanimi në aeroporte, pa rrezik për shëndetin

Skanimi i trupit është një nga masat e sigurimit në aeroporte. Por shumë njerëz shqetësohen dhe me të drejtë pyesin; a ka gjasa që rrezatimet nga këto aparate skanimi të shkaktojnë kancer?

Ekspertë pranë në Kolegjit Amerikan të Radiologjisë thonë se kjo është e pamundur. Në një deklaratë të saj, kjo organizatë vë në dukje se të dy llojet e Skanerëve në përdorim nga sigurimi i aeroporteve, lëshojnë një nivel të ulët rrezatimi dhe në thelb nuk paraqesin asnjë rrezik kanceri.

Një skaner, i quajtur Milimetër përdor teknologji me nivel të ulët valësh radioaktive, që nuk është në gjendje të shkatojë dëm në ADN.

Lloji tjetër aparati skanimi përdor teknologji me reze shumë të dobëta X. Sasia e rrezatimit që trupi merr kur kalon në këtë aparat është e barabartë me sasinë e rrezeve që ai merr në aeroplan për dy minuta gjatë fluturimit në lartësinë prej 30 mijë metrash.

Sipas përllogaritjeve, për t'u ndodhur në një rrezik të papërfillshëm ndaj kancerit, një udhëtar duhet të kalojë në këtë aparat skanimi 2mijë e 500 herë.

Ekspertët e Kolegjit amerikan të Radiologjisë arrijnë në përfundimin se ekspozimi i trupit ndaj rrezeve gjatë skanimit në këto aparate nuk ka ndonjë efekt të rëndësishëm biologjik në organizimin e udhëtarëve.

Pakësimi kronik e gjumit sjell lodhje

Ekziston mendimi se nëse njeriu fle pak gjatë javës, ai mund t'i zevendësojë orët e humbura duke fjetur më shumë gjatë në ditët e pushimit. Por sipas një studimi të kohëve të fundit, gjumi i humbur nuk mund të zevendësohet dhe njerëzit që shkurtojnë orët e gjumit ndjehen më të lodhur dhe kanë më gjasa të pësojnë aksidente.

Njerëzit shpenzojnë rreth një të tretën e jetës së tyre në gjumë, kështu që ndoshta instinktivisht mendojnë se duke pakësuar gjumin, ata zgjasin jetën zgjuar dhe shkojnë vonë në shtrat.

Gjithashtu shumë njerëz mjendojnë se gjumi është si paraja, e kursen sot për ta shpenzuar nesër. Ata nuk flenë sa duhet gjatë javës duke menduar se sa kur të vijë e shtuna e diela, mund të flenë më shumë se zakonisht.

Por disa studime të reja tregojnë se kjo është e pamundur.

Shkencëtarët pranë spitalit Brigham në Boston vëzhguan për tre javë një grup personash të shëndetshëm të cilët i mbajtën vullnetarisht në një laborator gjumi.

Pjesmarrësit në studim ndoqën orarin e një mjeku të urgjencës i cili 33 orë qëndron zgjuar në gadishmëri dhe 10 orë i ka për të fjetur. Me një orar të tillë mjeku bën mesatarisht 6 orë gjumë në natë.

Gjatë vëzhgimit, shkencëtarët vunë re se pjesmarrësit në studim ndjeheshin të shlodhur pasi flinin 6 orë natën, por me kalimin e kohës dalëngadalë filluan të ndjeheshin të lodhur gjatë ditës.

Shkencëtarët thonë se kjo erdhi nga humbja kronike e gjumit, dhe lodhja shkallë-shkallë ishte pasojë e kësaj humbjeje.

Studjuesit thonë se deficiti i gjumit krijon një situatë të rrezikshme për njerëzit që punojnë në turnet e natës, si dhe për shoferët ose ata që punojnë gjatë natës nëpër spitale.

XS
SM
MD
LG