Lidhje

Shqipëri: Duket se vazhdojnë përpjekjet për zgjidhjen e krizës


Në Shqipëri duket se po vazhdojnë përpjekjet e përfaqësuesve ndërkombëtarë për t’i dhënë fund krizës politike në vend.

Sot ambasadori i delegacionit të Bashkimit europian dhe ai i Spanjës, vend i cili ka presidencën e radhës në Bashkimin europian u takuan me kryeministrin Berisha. Ndërsa kryetari i partisë socialiste Edi Rama priti në zyrën e tij në Bashki ambasadorin amerikan John Uidhërs.

Asnjë koment nuk ka patur për këto takime. Por momenti i zgjedhur lë të kuptosh se situata politike vështirë se mund të ketë qenë jashtë fokusit të bisedave, ndonëse ambasadori amerikan tha se ishte folur për udhëtimin e zotit Rama në Amerikë javën e shkuar, ndërsa kryeministri pasdite mohoi të jetë diskutuar për situatën në takimin e tij me ambasadorët e BE me të cilët ai kishte zhvilluar një bisedë edhe javën e shkuar kur ata ndërmorën takime dhe me kryetarin socialist edi Rama dhe presidentin Bamir Topi.

Në Tiranë në fakt debatet për krizën politike po zjejnë prej disa ditësh. Ky debat u gjallërua pas rezolutës së Këshillit të europës, e para përpjekje ndërkombëtare e shoqëruar edhe me propozime konkrete. Nga Këshilli i europës pritet të mbërrijë dhe një mision me përfaqësuesit më të lartë ndërsa propozimi për një rol ndërmjetës të presidentit Bamir Topi vetëm sa i ka shtuar një element të ri polemikave, mundësinë e një tryeze mes palëve por pa ndikuar në thelbin e qëndrimeve të tyre.

Socialistët nuk tërhiqen nga kërkesa të cilën e konsiderojnë ligjore, për hapjen e kutive. Ndërsa shumica heqjen dorë nga kjo kërkesë e sheh në një farë mënyre si kusht për t’u ulur në një tryezë bisedimi. (ze)

XS
SM
MD
LG