Lidhje

Helen Tomas, legjendë në gazetarinë e Uashingtonit


Gazetarja e njohur Helen Thomas, me origjinë libaneze ka mbuluar politikën e Uashingtonit për më shumë se 60 vjet. Në vitin 1961, gjatë administratës së Presidentit Xhon Kenedi, ajo u bë e para grua gazetare që mbulonte Shtëpinë e Bardhë. Që atëherë ajo ka njoftuar për çdo president amerikan.

Kur Helen Thomas filloi të mbulonte Uashingtonin mbi 60 vjet më parë, kishte pak gra gazetare. Por kjo nuk e ndaloi atë të ndiqte karrierën e gazetarisë.

“E kam pasion historinë dhe e dija që me këtë karrierë do të mësoja gjithmonë”.

Në vitin 1961, gjatë administratës së Presidentit Kenedi, Thomas u bë një nga gratë e para që mbulonte Shtëpinë e Bardhë.

“Ishte diçka e mrekullueshme, sepse administrata Kenedi solli aq shumë shpresa. Të rinjtë po drejtonin dhe kishin synime të mëdha”.

Gjatë 50 vjetëve të fundit, Helen Thomas ka njoftuar për dhjetë presidentë amerikanë dhe ka udhëtuar me shumë prej tyre në udhëtime jashtë vendit. Ajo thotë se një nga udhëtimet më të paharrueshme ishte vizita historike e Presidentit Riçard Nikson në Kinë në vitin 1972.

“Udhëtimi në Kinë, pas 20 vjetësh shkëputjeje, gjatë të cilave ne nuk kishin marrëdhënie me Kinën, e bënte çdo minutë një lajm më vete. Të gjithë gazetarët e Uashingtonit donin të shkonin në atë vizitë. Çdo ditë që kaluam atje ishte një zbulim: çfarë hanin kinezët, si dukeshin, çfarë vishnin, e kështu me radhë”.

Ajo nuk shkon më në udhëtime presidenciale, por merr pjesë për ditë në konferencat e përditshme për shtyp të Shtëpisë së Bardhë ku nuk druhet të hapë debat, si në këtë rast me sekretaren e shtypit të ish-presidentit Bush, Dana Perino:

Me kalimin e viteve, Thomas ka krijuar reputacionin se bën pyetje të forta, si kjo që i drejtoi ish-Presidentit Bush në vitin 2006.

Thomas: “Do të doja t’ju pyesja zoti President, vendimi juaj për ndërhyrje në Irak ka shkaktuar vdekjen e mijëra amerikanëve dhe irakianëve, plagë që nuk do të shuhen kurrë. Çdo arsye që është dhënë për këtë ndërhyrje, të paktën publikisht, ka rezultuar jo e vërtetë. Pyetja ime është: Pse e filluat këtë luftë?”

President Bush: “Megjithë respektin për pyetjen tuaj dhe për ju si gazetare veterane, duhet të them se unë nuk doja luftë. Që të mendosh se unë doja luftë, është krejtësisht e gabuar, Helen, megjithë respektin që kam për ju”.

Di Di Majers, ishte Sekretare Shtypi e Presidentit Bill Clinton.

“Ajo ishte e pandalshme dhe një nga aftësitë e saj që unë admiroj më shumë, është seditë pas dite, javë pas jave, administratë pas administrate, ajo në çdo moment përpiqet të gjejë faktet”.

Thomas e pranon se i është dashur të paguajë një çmim për qëndrimin e saj të prerë.

“Mendoj se shumë presidentë, jo se kanë pasur frikë, por nuk kanë dashur të përplasen me mua përsa u takon pyetjeve të mia dhe nuk u pëlqen shumë të më japin fjalën për pyetje. Por mendimi im është se ne përfaqësojmë popullin amerikan që nuk ka rast t’i bëjë pyetje Presidentit”.

Thomas është pothuajse 90 vjeç por nuk jep shenja se po e ul ritmin. Ajo shkruan komente për gazetat e kompanisë Hearst dhe autore e pesë librave.

Megjithëse e pranon që gratë kanë arritur përparime të mëdha, ajo beson se shumë gra profesioniste hasin akoma vështirësi.

“Mendoj se çdo grua që është në një profesion që më parë i mohohej, si territor burrash, ka realizuar një sukses të madh. Por mendoj se akoma nuk është arritur barazia në vendin e punës”.

Po ashtu ajo i inkurajon gazetarët që shkojnë në konferencën e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, që të bëjnë pyetje të vështira.

“Nuk është gjithmonë e lehtë të bësh pyetje që nuk i pëlqejnë askujt apo i zemërojnë, por unë mendoj se është një privilegj i madh që t’i bësh pyetje një presidenti dhe askush nuk duhet ta humbë këtë shans”.

Ajo thotë se presidentëve nuk u pëlqen që t’u bësh pyetje të vështira, por ata kanë nevojë t’i dëgjojnë ato

XS
SM
MD
LG