Lidhje

100 ditët e para të presidentit Bush - 2001-04-27


Përplasja në ajër midis një aeroplani amerikan dhe një kinezi ishte prova e parë për aftësitë e presidentit të ri në politikën e jashtme, thotë Ted Carpenter, nën-president për studimet mbi mbrojtjen dhe politikën e jashtme në Institutin CATO në Washington. Presidenti, thotë ai, e kaloi këtë provë me komente pozitive dhe në qetësi.

Presidentit Bush, shpjegon ai, iu desh të merrej jo vetëm me një shtet të vështirë, por edhe me presionet e ndryshme këtu në Shtetet e Bashkuara. “Në Shtetet e Bashkuara pati disa konservatorë, që kërkuan të ndiqej një politikë radikale. Pati gjithashtu zëra që bënë thirrje që Shtetet e Bashkuara të bashkëpunonin me Pekinin më shumë se sa administrata bashkëpunoi në fakt. Mendoj se po të kemi parasysh të gjitha rrethanat, mund të thuhet se presidenti bëri një punë mjaft të mirë për zgjidhjen e kësaj situate të vështirë”- thotë zoti Carpenter.

Çështje të tjera presin të zgjidhen tani nga presidenti. John Mearsheimer, profesor i shkencave politike në Universitetin e Çikagos, thotë se disa prej këtyre çështjeve do të vënë në provë aftësitë e presidentit, sepse ato janë të komplikuara dhe nuk u zgjidhën dot as nga administrata e presidentit Clinton.

“Njëra çështje është përcaktimi i politikës së jashtme ndaj Irakut. Së dyti është çështja e vendosjes së paqes në Lindjen e Mesme. Dhe së treti është mënyra e tërheqjes së trupave amerikane nga Ballkani, thotë profesori” - thotë zoti Mearsheimer. Gjatë fushatës presidenciale, zoti Bush tha se Shtetet e Bashkuara janë angazhuar më shumë se duhet në botë. Por profesori Mearsheimer dhe të tjerë vënë në dukje se sa e vështirë është të tëhrhiqesh nga angazhime të tilla.

Të paktën tani në fillim, politika e jashtme e presidentit Bush është ndërlikuar nga ndryshimet në pikpamje midis këshilltarëve të tij të lartë. Këshilltarja për çështjet e sigurimit kombëtar, Condoleeza Rice ka thënë se trupat amerikane duhet të tërhiqen nga Ballkani sa më parë, ndërsa sekretari i shtetit Colin Powell ka deklaruar se ato do të tërhiqen së bashku me forcat evropiane. Deklarata kontradiktore janë bërë edhe mbi politikën e jashtme ndaj Irakut dhe Koresë së Veriut. Ky konfuzion është krijuar pjesërisht për shkak se disa poste të rëndësishme ende nuk janë plotësuar, thotë profesori i Universitetit Georgetown, William Taylor.

Për shkak të vonesës në zgjedhje dhe burokracitë gjithnjë në rritje që kanë të bëjnë me emërimin e zyrtarëve të ndryshëm, administrata e presidentit Bush nuk ka emëruar ende ndihmës-sekretarë në departamente të rëndësishme, të ngarkuar me drejtimin e studimeve dhe rekomandimin e politikave.

“Nuk është aspak pozitive për politikën e jashtme amerikane kur sekretari i mbrojtjes ose sekretari i shtetit thotë se politika e jashtme ndaj një vendi është ende në shqyrtim e sipër. Ende duke u shqyrtuar pas 100 ditësh në detyrë? Një gjë e tillë po shqetëson aleatët e miqtë tanë dhe ndoshta edhe po gëzon armiqtë tanë”. Ky është problem, thotë profesori.

Profesor Taylor, ish nën-president në qendrën për studime strategjike dhe ndërkombëtare, tha se sapo zyrtarët të emërohen, ai parashikon që ata të bashkëpunojnë pa probleme. Ai mendon se zërat rreth mosmarrëveshjeve të mëdha mbi vijat politike ose betejat personale mes ekipit të politikës së jashtme janë të zmadhuara.

Profesori Mearsheimer thotë se opinionet e ndryshme deri diku janë të shëndetshme. Ai thotë se çështjet e politikës së jashtme janë shumë komplekse dhe mund të kenë më shumë se një zgjidhje. Politikat e duhura mund të dalin nga debate intensive dhe duket se administrata e presidentit Bush, shpjegon ai, është e aftë për një gjë të tillë.

XS
SM
MD
LG