Lidhje

Takimi Trajkovski - Powell - 2001-05-01


Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, shprehu solidaritetin e Shteteve të Bashkuara me përpjekjet e qeverisë së Maqedonisë për të ndaluar sulmet e grupeve të armatosura shqiptare.

Zoti Powell tha se këto grupe po përpiqen të minojnë procesin demokratik në këtë vend të Balkanit dhe i tha presidentit të Maqedonisë, Boris Trajkovski, se qeveria e tij mund të mbështetet në ndihmën ekonomike amerikane. Zoti Powell i bëri këto komente pas bisedimeve që ai zhvilloi me presidentin maqdonas në Departamentin e Shtetit.

Sekretari Powell paralajmëroi gjithashtu edhe autoritetet maqedonase që të shmangin dhunën kundër komunitetit shqiptar të vendit. Ai theksoi nevojën për të garantuar trajtim të barabartë për komunitetin shqiptar të maqedonisë dhe shtoi se vendi mund të ndryshojë edhe kushtetutën për të garantuar këtë trajtim.

Zoti Tajkovski pritet të takohet nesër me Presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë. Kjo vizitë bëhet pas vrasjes së tetë ushtarëve dhe policëve maqedonas të shtunën nga shqiptarë të armatosur në një fshat në afërsi të kufirit me Kosovën.

Ndërkaq, maqedonas të revoltuar sulmuan dhe dogjën pak pas mesnatës 40 dyqane dhe biznese që janë pronë e shqiptarëve në Manastir. Zyrtarët thonë se një maqedonas u plagos, kur një pronar shqiptar dyqani hapi zjarr gjatë përleshjeve. Autoritetet thonë se jeta e tij nuk është në rrezik. Disa njerëz të tjerë pësuan plagë të lehta gjatë këtij incidenti. Agjencia maqedonase e lajmeve njofton se u arrestuan të paktën tri vetë.

XS
SM
MD
LG