Lidhje

Zhvillimet në rajon - 2001-05-22


Zyrtarët jugosllavë njoftuan për arrestimin e njërit prej udhëheqësve të grupeve të armatosura shqiptare në Serbinë jugore, i cili nuk pranoi të shpërndajë forcat e tij. Zyrtarët thonë se paqeruajtësit e Natos arrestuan mbrëmë zotin Muhamet Xhemajli, ndërkohë që ai po përpiqej të hynte në Kosovë nga zona e sigurisë që ndan Serbinë nga Kosova.

Nën-kryeministri serb Nebojsha Coviç tha se zoti Xhemajli u dërgua në kampin Bondsteel, baza kryesore e trupave amerikane në Kosovë. Natoja nuk e ka konfirmuar arrestimin e tij. Dje, komandanti i ushtrisë për clirimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit nënshkroi një marrëveshje për shpërndarjen e grupit të tij deri në fund të muajit.

Edhe komandantët e tjerë shqiptarë në Serbinë jugore thanë se do të ndiqnin shembullin e tij, gjë që do ti hapte rrugën kthimit të enjten të forcave jugosllave në zonën e sigurisë. Ndërkohë, sot në mëngjes në Maqedoni, trupat qeveritare shkëmbyen zjarr me gueriljet shqiptare të cilët vazhdojnë të mbajnë disa fshatra afër Tetovës. Zyrtarët maqedonas thonë se zona kufitare afër Kumanovës është e qetë pas bombardimeve të rënda të kryera dje.

XS
SM
MD
LG