Lidhje

Bullgaria në prag të zgjedhjeve parlamentare. - 2001-05-25


Ish-mbreti i Bullgarisë, i cili u detyrua të largohej nga vendi kur ishte fëmijë, me ardhjen në pushtet të komunistëve, është tani 64 vjeç. Ai ka jetuar pjesën më të madhe të jetës në Spanjë, ku arriti të bëhet një biznesmen i sukseshëm. Për herë të parë ai u kthye në Bullgarinë e periudhës pas-komuniste në vitin 1996 dhe që atëhere e ka vizituar vendin disa herë të tjera.

Por vetëm vitin e kaluar ish-mbreti Simeon filloi të marrë pjesë aktive në lëvizjen politike të vendit. Ai thotë se vuajtjet e shtresës së varfër të popullsisë dhe zemërimi i njerëzve ndaj korrupsionit të qeverisë, e nxiti atë të fillojë të merret me politikë. Disa anketime të kohëve të fundit të opinionit publik tregojnë se koalicioni i ish-mbretit ka mundur të sigurojë mbështetjen e 35 për qind të popullsisë, në krahasim me 15 për qind që mundi të sigurojë ndërkohë që Bashkimi i Forcave Demokartike në pushtet, UDF-ja, ka siguruar mbështetjen e vetëm 15 për qind të popullsisë, ndërsa socialistët, që përfaqësojnë ish-komunistët, gëzojnë mbështetjen e vetëm 10 për qind të popullsisë.

Slav Gatchev është konsulent pranë firmës së biznesit Delphos International në Washington. Ai e krahason ish-mbretin bullgar me një car. “Koalicioni carist është një aleancë e paqendrueshme dhe e decentralizuar midis grupeve të ndryshme politike. Këtu bëjnë pjesë një grup të mërguarish-emigrantë të rinj, pjesa më e madhe e të cilëve punojnë në Londër në banka investimesh, në nivelin e analistëve, apo nënpresidentit, që janë poste jo të nivelit të lartë dhe të parëndësishme. Në koalicion gjithashtu bëjnë pjesë një grup emigrantësh të vjetër, të cilët kanë lidhje shpirtëtore me carin dhe e ndjejnë veten të lidhur me të, për shkak të dekadave që kanë kaluar jashtë, pasi e braktisën vendin nga mesi, apo fundi i viteve 40, me ardhjen në pushtet të komunistëve” thotë zoti Gatshev.

Zoti Gatshev shton se lëvizja poltike e ish-mbretit përfaqëson një mesazh populist që u drejtohet të varfërve, të cilët e ndjejnë se rigjallërimi i ekonomisës së vendit gjatë 4 vjetëve të fundit nuk ka ndikuar aspak në jetën e tyre. Analistë të tjerë thonë se partia e qendrës së djathtë në pushtet UDF, po e humbet mbështetjen për shkak të pabarazisë së madhe klasore dhe përbuzjes që ekziston në vend për korrupsionin. Paga mesatare në Bullgari është e barasvlerëshme me 110 dollarë në muaj.

Ndërsa, studjuesi Charles Movit pranë qendrës së studimeve politike dhe ekonomike të Evropës Lindore, thotë se ish-mbreti e ka gjallëruar fushatën zgjedhore në Bullgari. “Koalicioni i mbretit ka bërë disa premtime, se në se fiton zgjedhjet, të gjithë mund të jenë të sigurtë se brenda 800 ditëve gjendja e vendit do të përmirësohet, se do të merren masa që qeveria të jetë e pakorruptuar, dhe se do t’i kushtohet më tepër vëmendje sistemit shëndetësor, problemeve shoqërore në përgjithësi dhe arsimit” thotë zoti Movit.

Koalicioni i ish-mbretit pritet të fitojë më tepër popullaritet kur të shqyrtohen më hollësisht kandidatët e tij. Ndërkohë kryeministri bullgar Ivan Kostov, i cili kryeson partinë në pushtet, ka caktuar si përparësi të qeverisë së tij anëtarësimin e vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Nën udhëheqjen e kësaj partie, ekonomia e Bullgarisë, e cila ishte në prag të humnerës në vitin 1996, është fuqizuar në atë nivel, saqë rritja ekonomike e vendit, vitin e kaluar e kaloi shifrën 5 për qind.

Analistët thonë se në se koalicioni i mbretit vazhdon të udhëheqë në anketat e publikut, do t’i duhet të qeverisë në koalicion me partinë e qendrës së djathtë, që është aktualisht në pushtet.

XS
SM
MD
LG