Lidhje

Çështja e Mitrovicës - 2001-05-30


Çështja e qytetit të ndarë të Mitrovicës nuk mund të zgjidhet nëpërmjet krijimit të mureve që do të thellonin ndarjen, por nëpërmjet një procesi politik që do të bashkonte qytetin, thanë sot në Prishtinë përfaqësuesit shqiptarë në Këshillin Kalimtar të Kosovës.

Ata i bënë këto komente pas shkrimeve në mjetet vendore të informimit sipas të cilave forcat paqërujatëse franceze që kontrollojnë veriun e Kosovës, kanë hartuar një projekt për ndërtimin e katër mureve mbrojtëse përreth urës kryesore mbi lumin Ibër i cili shënon edhe vijën ndarëse të këtij qyteti. Ky projekt i cili as nuk është vërtetuar tërësisht e as mohuar nga autoritetet ndërkombëtare ishte shëndrruar në temë diskutimesh në takimin e sotëm të Këshillit Kalimtar ku siç tha Fatmir Limaj, sekretar për marrëdhënie publike i Partsië Demokratike të Kosovës, “autoritetet ndërkombëtare ofruan informacione shumë kundërthënëse, duke lënë shteg të hapur për dyshime”.

Këshilli Kalimtar ka vazhduar ndërkaq diskutimet e filluara dje në Këshillin e Përkohshëm Administrativ mbi planet e autoriteteve ndërkombëtare për kthimin e serbëve të shpërngulur nga Kosova. Përfaqësuesit shqiptarë kanë kërkuar vazhdimin e debateve lidhur me ketë çështje duke tërhequr vërejtjen në mundësitë e manipulimeve në radhë të parë me vetë numrin e serbëve të zhvendosur pas luftës në Kosovë, pjesa më e madhe e të cilëve është larguar së bashku me forcat serbe të sigurimit.

Në këtë kuadër Jonuz Salihaj përfaqësues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se “përfaqësuesit shqiptarë nuk janë kundër kthimit të serbëve të zhvendosur nga Kosova”, por sipas tij, këtij procesi duhet t’i paraprijnë disa çështje të tjera, në radhë të parë ndërtimi i institucioneve të Kosovës të cilat do të debatonin dhe do të krijonin parakushtet e nevojshme për realizimin e këtij projekti. Përfaqësuesit shqiptarë nënvizuan, se nëse 100 mijë serbë aktualisht jetojnë në Kosovë, atëherë kërkesa për kthimin e 170 mijë serbëve brenda këtij viti është absurde, posaçërisht kur edhe sipas statistikave serbe numri i përgjithshëm i tyre në dhjetëvjetëshin e fundit ishte më pak se 200 mijë.

XS
SM
MD
LG