Lidhje

Kalendari historik i datës 12 qershor - 2001-06-12


Më 12 qershor 1924, në Shtetet e Bashkuara u transmetua për herë të parë drejtpërdrejt me radio një kuvend politik. Në atë kohë në Shtetet e Bashkuara kishte rreth 2 milionë e gjysmë radio. Amerikanët dëgjuan debatet e Partisë Demokrate dhe numërimin e votave në sallën Madison Square Garden të Nju Jorkut. Demokratët votuan 103 herë gjatë 10 ditëve të verës, para se të emëronin zotin John Davis si kandidatin e tyre për president. Presidenti i atëhershëm, republikani Calvin Coolidge, kishte zëvendësuar presidentin Warren Harding, i cili kishte vdekur duke qenë në detyrë. Më vonë radioja mbuloi kuvendin e republikanëve, të cilët emëruan presidentin Coolidge, një dashamirës të biznesit, si kandidat. Zoti Coolidge fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 1924 me rreth 7 milionë vota. Me mbulimin e fushatës së vitit 1924, radioja e bëri traditë mbulimin e procesit elektoral, për t’u shoqëruar vite më vonë edhe nga televizioni.

Më 12 qershor 1776, Asambleja e shtetit Virxhinia miratoi një deklaratë të të drejtave për qytetarët e Virxhinias. E hartuar në pjesën më të madhe nga George Mason, deklarata gërshetonte së bashku idenë e të drejtave të natyrshme dhe garancitë e posaçme për mbrojtjen e qytetarëve nga shpërdorimi i pushtetit qeveritar. Në dokument renditeshin liritë themelore për të cilat anglezët kishin luftuar që nga periudha e Kartës së Madhe. Këtu përfshiheshin e drejta për garanci të arsyeshme, për dënime njerëzore, për gjykim të shpejt dhe nga njerëz të barabartë me të pandehurin. Në deklaratën e Virxhinias bëhej thirrje për organizimin e grupeve të armatosura të qytetarëve, në vend të një ushtrie të përhershme. Deklarata bënte thirrje gjithashtu që të garantoheshin liria e fjalës, e shtypit dhe e fesë. Dokumenti shërbeu si model për deklarata të të drejtave edhe në shtete të tjera dhe më së fundi edhe për Billin e të Drejtave që u përfshi në Kushtetutën amerikane.

XS
SM
MD
LG