Lidhje

Kalendari historik i datës 20 qershor - 2001-06-20


Më 20 qershor të vitit 1977, filloi transportimi tepër i vonuar i naftës së Alaskës drejt pjesës tjetër të Shteteve të Bashkuara. Në orën 9 e gjysmë të mëngjesit sipas orës vendore, një kompjuter i kompanisë Aleyska u dha urdhër pompave që të fillonin kalimin e naftës. Nafta filloi të lëvizte nga stacioni i pompimit në limanin Prudoh në bregdetin verior të Alaskës drejt portit Valdez në bregdetin jugor të Alaskës. Për ndërtimin e tubacionit u deshën 3 vjet. Tubacioni ka një diametër prej 1 metër dhe është i gjatë 1 mijë e 280 kilometra. Ndërtimi filloi pas një dekade debatesh ligjore rreth ndikimeve të mundshme negative të tubacionit ndaj mjedisit të brishtë të Alaskës. Tubacioni është i izoluar më së miri për të parandaluar shkrirjen e tudrës së Alaskës nga nafta e ngrohtë. Tubacioni është ndërtuar në atë mënyrë që t’u qëndrojë tërmeteve dhe në disa zona është ngritur rreth 3 metra mbi tokë për të lejuar kalimin e kafshëve nën të.

Më 20 qershor të vitit 1963, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik nënshkruan një marrëveshje për vendosjen e një lidhjeje të drejtëpërdrejtë komunikimi. Bisedimet mbi këtë plan kishin filluar 6 muaj para krizës së raketave në Kubë në tetor të vitit 1962. Të dy vendet donin të kishin një mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe të shpejtë për të komunikuar në çdo gjendje të ngutshme për të parandaluar shpërthimin aksidentalisht të luftës. Fillimisht i ashtuquajturi teletajpi i kuq përbëhej nga një mjet teletajp në kryeqytetin e të dy vendeve i lidhur me tela. Me kalimin e viteve ky sistem është përmirësuar ndjeshëm. Është përmirësuar edhe komunikimi me zë, ndërkohë që lidhjet kompjuterike me satelitë tani bëjnë të mundur shkëmbimin e shpejtë të fotografive dhe hartave mes zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara dhe ish Bashkimit Sovjetik.

XS
SM
MD
LG