Lidhje

Kalendari historik i datës 9 korrik - 2001-07-10


Më 9 korrik 1893, për herë të parë në botë, mjeku Daniel Hale Williams, mbylli me sukses, një plagë në zemër me ndërhyrje kirurgjike. Doktor Williams ishte me shërbim në spitalin Provident të Çikagos, kur në sallën e urgjencave sollën një njeri që e kishin plagosur me thikë në zemër. Doktor Williams, me një grup prej 6 kirurgësh të tjerë, hapën gjoksin e pacientit dhe ia mbyllën plagën. Pacienti James Cornish qendroi i shtruar në spital gjysmë i vdekur për 4 ditë, por mbijetoi. 7 javë pas operacionit zoti Cornish doli nga spitali me një shenjë të madhe plage të mbyllur në gjoks. Doktori Williams, që ishte afrikano-amerikan, kishte themeluar Spitalin Provident në vitin 1891, në një kohë kur mjekët zezakë ndaloheshin të ushtronin profesionin e tyre në spitalet e tjera të Çikagos. Më vonë ai u bë një ndër themeluesit e një numri shoqatash mjekësore, duke përfshirë disa për mjekët zezakë, të cilët nuk pranoheshin në organizatat e tjera mjekësore kombëtare. Doktori Williams mori pjesë gjithashtu në ngritjen e shkollave dhe spitaleve amerikane për përgatitjen e mjekëve dhe infermierëve zezakë

Më 9 korrik 1755, George Washingtoni mësoi një taktikë ushtarake, që do ta vinte në jetë më vonë, si komandant i Ushtrisë Revolucionare të Amerikës. Në moshën 23 vjeçare, kur ishte nënkolonel në milicinë koloniale të Virginias, Washingtoni shërbente si adjutant i gjeneralit britanik, Edward Braddock. Gjenerali Braddock ishte duke udhëhequr një mijë e 500 ushtarë britanikë, përmes Maleve Allegheny, për t’u marrë francezëve Luginën e Lumit Ohio. Trupat britanike me xhaketa të kuqe marshonin nëpër male, sikur të mos i trembeshin asgjëje. Megjithatë ata u shpartalluan nga një forcë franceze më e vogël në numër, e cila përdorte taktikat guerilase të indianëve, duke u fshehur në vende të mbuluara. Pasi qëllonin nga pozicionet e tyre të fshehta, ushtarët francezë ndërronin pozicion dhe qëllonin përsëri. Vite më vonë, si komandant i Ushtrisë Revolucionare Amerikane, George Washingtoni, e përdori shpesh taktikën guerile, gjatë luftimeve me ushtrinë britanike, shumë më të madhe në numër.

XS
SM
MD
LG