Lidhje

Sekretari amerikan i Shtetit në Pekin - 2001-07-28


Sekretari Amerikan i Shtetit Colin Powell thotë se Washingtoni dhe Pekini do të zhvillojnë bisedime të reja mbi të drejtat e njeriut, bashkëpunimin ushtarak dhe eksportimin e teknologjisë së raketave nga ana e Kinës. Sekretari Powell tha sot në një konferencë shtypi në Pekin se të drejtat e njeriut u diskutuan në çdo takim me udhëheqësit kinezë, përfshirë presidentin Jiang Zemin. Ai tha se kishte theksuar respektimin e përgjithshëm të standarteve ndërkombëtare, dhe jo përqëndrimin në raste individuale të praktikave të Kinës. Zoti Powell bëri gjithashtu të ditur se Ndihmës-Sekretari i Shtetit Lorne Craner do të rifillonte menjëherë dialogun mbi të drejtat e njeriut, ndërkohë që në muajt e ardhshëm do të zhvillohen bisedime të nivelit të lartë mbi të gjitha çështjet që lidhen me të drejtat.

Shefi i diplomacisë amerikane shtoi se beson që të dyja palët arritën të ngushtojnë mosmarrëveshjet lidhur me ato që Washingtoni i konsideron si shkelje nga ana e Kinës të marrëveshjes së nëntorit 2000 për të mos u shitur teknologji raketash vendeve që zhvillojnë armë bërthamore. Sekretari Powell tha se do të zhvillohen bisedime në nivel ekspertësh në përpjekje për të ngushtuar mosmarrëveshjet lidhur me këtë çështje para vizitës së presidentit Bush në Kinë në muajin tetor.

Zoti Powell ritheksoi angazhimin e Washingtonit ndaj politikës së një Kine të vetme. Ai shtoi se shitja e armëve mbrojtëse amerikane për Taivanin nuk ka për synim të destabilizojë rajonin, por t’i japë Taipeit vetëbesim në negociatat për marrëdhëniet e tij të ardhshme me Pekinin. Ai vuri në dukje se dislokimi i raketave kineze në rajon është faktori nxitës për shitjen e armëve amerikane. Zyrtarët kinezë mohuan përsëri se po shkallëzojnë dislokimin e raketave në brigjet e ngushticës që e ndan Kinën nga Taivani.

Sekretari Powell bëri gjithashtu të ditur se një komision i përbashkët do të takohet muajin e ardhshëm për të diskutuar mbi mënyrat për të shmangur icidente ushtarake, si ai i prillit të kaluar kur një avion amerikan përgjimi u përplas me një avion luftarak kinez.

Zoti Powell niset nesër për në Australi, ndalesa e tij e fundit në turneun e tij në rajonin e Azi-Paqësorit.

XS
SM
MD
LG