Lidhje

Analistët komentojnë marrëveshjen e paqes - 2001-08-14


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, George Robertson tha se marrëveshja e paqes është një hap i madh përpara që do të sjellë normalizimin e jetës në Maqedoni. Marrëveshja i jep status zyrtar gjuhës shqipe, si dhe më tepër të drejta dhe autonomi shqiptarëve të Maqedonisë, gjë për të cilën luftëtarët shqiptarë thonë se ka qenë synimi i luftës së tyre.

Marrëveshja u firmos nga partisë kryesore maqedonase dhe shqiptare. Grupet e armatosura shqiptare nuk ishin pjesë e negociatave dhe as palë nënshkruese të projekt-marrëveshjes, megjithëse disa nga komandantët e tyre e mbështetën atë. Jonathan Benton është nëndrejtor i zyrës për Evropën Jugore në Departamentin amerikan të Shtetit. Ai thotë se hapi tjetër i rëndësishëm i marrëveshjes është arritja e një armëpushimi të qëndrueshëm, gjë për të cilën NATO këmbëngul, si kusht paraprak për dërgimin e një misioni në Maqedoni. “Një aspekt kryesor i marrëveshjes është vendosja e menjëhershme e trupave të NATO-s, dhe kyç për këtë do të jetë vazhdimi i armëpushimit, si dhe shqyrtimi i mundësive që kanë të bëjnë me vendosjen e trupave të NATO-s në Maqedoni” tha zoti Benton.

NATO po shqyrton një plan për dërgimin e 3 mijë e 500 trupave nën komandën britanike për çarmatosjen e luftëtarëve shqiptarë. Misioni i NATO-s mund të ketë në përbërjen e vet trupa shumëkombëshe dhe thuhet se ai do të zgjasë për 30 ditë. Megjithatë, në Maqedoni vazhdon të ekzistojë skepticizmi lidhur me çështjen në se UÇK-ja do ta respektojë marrëveshjen, dhe nëse marrëveshja mund të sjellë paqen e vërtetë në një vend, ku luftimet 6 muajshe i kanë acaruar së tepërmi marrëdhëniet midis të dyja palëve në konflikt.

Sam Valkin, analist politik në Shkup, këshilltar pranë qeverisë maqedonase, thotë se marrëveshja favorizon shqiptarët. Ai gjithashtu thotë se marrëveshja u imponua nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian ndaj qeverisë së pavendosur dhe të të pafuqishme maqedonase. “Me përjashtim të kushtit për çarmatimin e luftëtarëve shqiptarë, Maqedonia, apo pjesë e saj, ndodhet nën pushtimin e një fuqie të huaj, Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Megjithatë, udhëheqësit maqedonas i detyruan të firmosin marrëveshjen e paqes, krahas me propaganduesit e prishjes së sovranitetit dhe integritetit teritorial. Unë them se kjo është një përsëritje e vitit 1938, kur fuqitë e mëdha e detyruan Çekoskllovakinë t’i bëjë lëshime Hitlerit për rajonet në kufi të banuara nga gjermanët”.

Zoti Vaknin thotë se shumica e luftëtarëve shqiptarë vijnë nga Kosova. Ai mendon se kryengritja e armatosur do të vazhdojë dhe ai thotë se është i shqetësuar nga disa shenja të kohëve të fundit, që tregojnë se në radhët e luftëtarëve shqiptarë ka përçarje. “Gjatë muajve të fundit në radhët e UÇK-së është vënë re përçarja. Disa fraksione të UÇK-së, të armatosur, shumë të ngjashme me grupet disidente të Ushtrisë Çlirimtare Irlandeze, kanë filluar operacionet në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës në Serbinë Jugore, dhe gjatë ditëve të fundit edhe këtu, në Maqedoni, në qytetin e Tetovës. Luftimet ka mundësi të përhapen deri në kufirin me Shqipërinë, në Dibër dhe Gostivar. Në qendër të sulmeve të tyre janë vënë disa fshatra përreth Shkupit. Kështuqë unë mendoj se luftimet vazhdojnë akoma” tha zoti Vaknin.

Megjithatë, marrëveshja e paqes do t’i hapte rrugën ndihmave ekonomike dhe investimeve në Maqedoni. Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian kanë premtuar se do të zhvillojnë një konferencë donatorësh për Maqedoninë. Gjithashtu, mund të hyjë përsëri në fuqi një marrëveshje e lënë pezull e Fondit Monetar Ndërkombëtar, për dhënien e huave Maqedonisë. Kryetari i Paktit të Stabilitetit Ballkanik, i mbështetur nga Bashkimi Evropian, Bodo Hombah, e përshëndeti marrëveshjen, duke e quajtur atë një shenjë për pajtimin politik, të cilin e kishin pritur të gjithë.

XS
SM
MD
LG