Lidhje

Vazhdon puna për nxjerrjen e nëndetëses Kursk - 2001-08-25


Zhytësit po vazhdojnë punën për nxjerrjen e nëndetëses së mbytur bërthamore Kursk, pasi erërat e forta dhe dallgët e pezulluan operacionin për 24 orë.

Sot ekipet e nxjerrjes po vazhdojnë të hapin vrima në paretet anësore të nëndetses ku do të lidhen kabllot për ta nxjerrë Kurskun nga fundi i Detit Barenc.

Ata shqetësohen se keqësimi i motit mund të bëhet pengesë për planet e nxjerrjes së nëndetses deri më datën 15 shtator.

Kapiteni Viktor Kotov thotë se moti në zonën ku ndodhet nëndetsja e fundosur keqësohet nga mesi i shtatorit.

Erërat me shpejtësi 72 kilometra në orë dhe dallgët me lartësi deri në 3 metra e pezulluan punën të enjten. Për të mundësuar nxjerrjen e nëndetses është e nevojshme që deti të jetë i qetë.

I gjithë operacioni duhet të përfundojë nga mesi i tetorit pa filluar sezoni i motit të ashpër arktik, tha një zëdhënës i kompanisë që po punon për nxjerrjen e nëndetses. Kompania ka besim se do ta përmbushë operacionin brenda këtij afati.

Ekipet kanë arritur të hapin 20 nga 26 vrimat që nevojiten në paretet anësore të Kurskut. Faza tjetër është lidhja e kabllove për të nxjerrë në sipërfaqe nëndetsen bërthamore. Zhytësit do të presin gjithashtu pjesën e përparme të nëndetses para se ta nxjerrin nga fundi i detit.

Nëndetësja u fundos më 12 gusht të vitit të kaluar gjatë manovrave, duke shkaktuar vdekjen e të 118 personave në bord.

XS
SM
MD
LG