Lidhje

Kalendari historik i datës 4 shtator - 2001-09-04


Shumica e amerikanëve e kishin pushim të hënën, për të kremtuar Ditën e Punës, një festë kombëtare për nder të sindikatave dhe punëtorëve amerikanë. Thuhet se ideja e kësaj feste i lindi për herë të parë një udhëheqësi sindikalist të qytetit të Nju Jorkut, që quhej Peter McGuire. Në shtator të vitit 1882 ai propozoi që të gjithë anëtarët e sindikatave të qytetit të Nju Jorkut të merrnin pjesë në një paradë. Ai tha se parada do të tregonte forcën dhe shpirtin e tregtisë të sindikatave. Parada e sindikatave u bë një traditë e përvitshme për qytetin e Nju Jorkut dhe më vonë u përvetësua edhe nga qytete të tjera. Më 1894 qeveria federale e shpalli ditën e punës festë kombëtare, që do të kremtohej të hënën e parë të muajit shtator. Fundjava triditëshe që mbyllet me Festën e Punës është bërë një festë tradicionale që shënon mbarimin e pushimeve të verës dhe në shumë rajone të Shteteve të Bashkuara, fillimin e vitit të ri shkollor.

Më 4 shtator 1888, George Eastman, mori patentën për aparatin e tij fotografik, Kodak, i cili revolucionarizoi fotografinë. Aparati fotografik Kodak ishte si një kuti e vogël që mund të mbahej në dorë. Ai zëvendësoi aparatet e mëdha që përdoreshin nga shumë fotografë profesionistë. Ajo që e dallonte aparatin e ri të zotit Eastman ishte zhvillimi i filmit të përkulshëm në letër. Ky film zëvendësonte pllakat e pamanovrueshme fotografike prej xhami, të cilat duhet të zhvilloheshin menjëherë pasi ishin ekspozuar. Kurse pronari i aparatit të ri Kodak mund të bënte 100 fotografi dhe pastaj ia dërgonte aparatin pa i hequr filmin, fabrikës Eastman në Rochester të shtetit të Nju Jorkut. Teknikët përpunonin filmin, stamponin fotografitë dhe pastaj ia kthenin të zotit bashkë me aparatin, të cilit i futnin një film të ri. Motoja e kompanisë ishte: “Ju shtypni butonin, pjesën tjetër të punës e bëjmë ne.”

XS
SM
MD
LG