Lidhje

Shtetet e Bashkuara sulmohen nga terrorizmi - 2001-09-11


Me sa duket sulme të kordinuara terroriste goditën godina të ndryshme në New York dhe këtu në Washington. Dy aeroplanë goditën dy kulla të qendrës botërore të tregëtisë në New York. Pasi u përfshinë nga flakët dhe tymi i dëndur për më shumë se një orë, dy godinat 110 katëshe u shëmbën. Shumë njerëz thuhet se janë plagosur në New York. Autoritetet e aviacionit kanë ndaluar ngritjen e aeroplanëve dhe kanë devijuar drejt Kanadasë aeroplanët e planifikuar që të zbresin në New York dhe Washington.

Zyrtarë të lartë qeveritarë thonë se FBI-ja ka filluar hetimet mbi mundësinë se dy përplasjet në New York ishin rezultat i rrëmbimit të aeroplanëve. Sipas disa njoftimeve, aeroplani i parë u rrëmbye në qytetin veri-lindor të Bostonit dhe devijoi drejt New Yorkut. Përplasja e parë ndodhi pak para orës 9 të mëngjesit sipas orës lokale dhe përplasja e dytë ndodhi pas më pak se 20 minutash pas të parit. Dëshmitarët njoftuan për panik nëpër rrugët e qytetit pas sulmeve.

Njerezit zbriten me nxitim neper shkallë dhe braktisen godinën. Mijëra copa që dukeshin si letra zyre fluturonin mbi zonën përreth qendrës botërore të Tregëtisë, pas sulmit të dytë. Në New York ka filluar operacioni i shpëtimit. Edhe bursa e New Yorkut është evakuar. Trafiku në qytet është bllokuar, ndërkohë që departamenti i zjarrfikësve të New Yorkut mobilizoi gjithë personelin e disponueshëm. Të gjitha urat dhe tunelet, që të çojnë drejt lagjer Manhaten, ku ndodheshin dy gradaçelat, u mbyllen. Një ish zëdhënës i bordit për sigurinë e transportit kombëtar eliminoi mundësinë e aksidentit. Një gjë e tillë nuk mund të jetë aksident të mes të ditës, tha ai.

Udhëheqësit botërorë po shprehin ndjenja tmerri dhe keqardhjeje për sulmet e sotme terroriste në Shtetet e Bashkuara. Presidenti i Francës, Jacques Chirac, tha se populli i Francës është i gjithi përkrah popullit amerikan. Zoti Chirac tha se ndjen një keqardhje të tmershme për lajmet mbi sulmet terroriste në qendrën Botërore të Tregtisë në New York dhe në Departamentin e Mbrojtjes në Uashington. Kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, tha se është tmerrësisht i tronditur nga këto sulme terroriste. Ai i përshkroi sulmet si ngjarjet tronditëse më të tmershme dhe i shprehu ngushëllimet e tij presidentit Bush. Edhe Presidenti rus, Vladimir Putin, i shprehu ngushëllimet e tij më të thella popullit amerikan, duke i dënuar sulmet në New York dhe në Uashignton.

XS
SM
MD
LG