Lidhje

Powell: Pakistani do ta ruajë qendrueshmërinë - 2001-09-23


Sekretari i shtetit Colin Powell tha se ka besim se Pakistani do të ruajë qendrueshmërinë dhe se programi i tij bërthamor do të mbetet në duar të sigurta. Gjatë një interviste televizive, sekretari Powell vlerësoi presidentin pakistanez, Gjeneralin Pervez Musharraf.

Sekretari Powell tha se megjithë trysninë e disa organizatave myslimane në Pakistan, presidenti Musharraf ka ofruar mbështetje ndaj përpjekjeve amerikane për ndjekjen e terroristëve.

Presidenti Musharraf mori një vendim të guximshëm dhe e bëri këtë me dijeni të plotë për pasojat e mundshme në politikën e brendshme, tha sekretari amerikan i shtetit.

Zoti Powell tha në programin ”Meet the Press” të rrjetit televiziv NBC se ai është i bindur se qeveria e zotit Musharraf mund t’i bëjë ballë presionit. Ai mbështetet nga të gjithë komandantët e tij ushtarakë dhe të gjithë të tjerët në qeveri. Kam besim se Pakistani do ta ruajë qendrueshmërinë, tha zoti Powell.

Sekretari i shtetit tha se Presidenti Bush hoqi dje disa sanksione ndaj Pakistanit dhe Indisë si rrjedhojë e mbështetjes që këto vende po tregojnë për luftën kundër terrorizmit.

XS
SM
MD
LG