Lidhje

Talebani - Përçudnim i Islamizmit - 2001-09-28


Lëvizja Taleban erdhi në pushtet në Afganistan në vitin 1996, duke i premtuar paqe një vendi të kapitur nga lufta e shkatërrimi. Ata kishin një ideologji të re, një version ekstrem të Islamizmit. Lëvizja Taleban kishte para dhe mund të blinte me ryshfet udhëheqësit dhe komandantët fraksionistë. Njëra pas tjetrës, thuajse të gjitha rajonet ranë nën sundimin e lëvizjes Taleban. Fillimisht, zbatimi i kufizimeve ekstreme shoqërore nga ana e regjimit të ri u duk një çmim i vogël të paguhej për paqen.

Mirëpo, nuk kaloi shumë kohë para se populli i Afganistanit ta kuptonte se regjimi fetar i lëvizjes Taleban po shndërrohej në një nga shtrembërimet më të rënda të Islamizmit.

Mes viktimave kryesore të qeverisë taleban kanë qenë gratë. Nën regjimin taleban, gratë janë të detyruara të veshin një lloj pelerine që i mbulon ato nga koka deri në majë të gishtrinjëve të këmbëve, me një rrjet të vogël para fytyrës për t’u dhënë atyre mundësi të shohin se kah shkojnë. Gratë nuk mund të përdorin artikuj kosmetikë. Ato përballen me mundësisnë e rrahjes me kamxhik në publik nëse shkelin kodin më ekstrem të veshjes në botën islamike.

Regjimi taleban nuk lejon as shkollimin e vajzave dhe të grave. Kjo është në kundërshtim të plotë me qendrimin e shumicës së udhëheqësve myslimanë. Thuajse 100 vjet më parë, udhëheqësi mysliman, Aga Khani i Tretë, i inkurajonte gratë të studionin. Ai mendonte, siç kanë menduar shumica e të tjerëve që nga ajo kohë, se kur arsimohet një burrë, arsimohet një individ, por kur arsimohet një grua, arsimohet e gjithë familja.

Ndryshe nga pjesa më e madhe e botës myslimane, lëvizja Taleban nuk pranon t’i lejojë gratë të punojnë jashtë shtëpisë. Si rrjedhim, shumë afganë kanë humbur mjetin e vetëm për mbajtjen e familjeve të tyre. Një numër i madh grash janë detyruar të shndërrohen në lypse nëpër rrugë me qëllim që të sigurojnë ushqim për fëmijët e tyre. Vlerësohet se në Kabul rreth gjysma e të gjitha grave të qytetit punonin jashtë shtëpisë, para se të vinte në pushtet lëvizja Taleban. Gratë përbënin shumicën e arsimtarëve në Kabul dhe një pjesë të mirë të personelit në fushën e mjakësisë.

Lëvizja Taleban ngul këmbë se dekeretat e saj janë në përputhje me mësimet islamike. Mirëpo, sipas shumicës së klerikëve të respektuar, Islamizmi karakterizohet nga toleranca dhe paqja, jo nga fanatizmi. Shumë myslimanë të devotshëm afganë nuk e kuptojnë fenë e tyre ashtu siç intepretohet nga lëvizja Taleban. Regjimi taleban ka manipuluar mësimet besimit islam me qëllim që të sundojë me pushtet absolut dhe në mënyrë të pamëshirme. Siç ka thënë presidenti George W. Bush, “Ata që kryejnë vepra të liga në emër të Allahut, kryejnë blasfemi kundër emrit të Allahut.”

XS
SM
MD
LG