Lidhje

Avionë amerikanë në Uzbekistan - 2001-10-07


Në Uzbekistanin jugor u ulën avionë ushtarakë amerikanë, të cilët besohet se transportojnë pararojën e një force tokësore që do të marrë pjesë në operacionet në Afganistan. Zyrtarët uzbekë thonë se të paktën tre aeroplanë kanë mbërritur, megjithëse është e paqartë se në cilin aeroport janë ulur.

Një mijë trupa amerikane pritet të vendosen në një bazë në jug të këtij vendi të Azisë Qendrore. Leja për njërën nga bazat u sigurua nga sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld, i cili të premten bëri një vizitë në kryeqytetin uzbek, Tashkent. Presienti uzbek, Islam Karimov, është shprehur se aerodromi do të përdoret për operacione kërkimi dhe shpëtimi, por jo për sulme kundër Afganistanit.

Talebanët kanë kërcënuar se do të pushtojnë Uzbekistanin, nëse ky vend merr pjesë në sulmet amerikane. Zyrtarët thonë se në kufirin midis dy vendeve janë vendosur 10 mijë ushtarë.

Dje, talebanët qëlluan me kundërajrorë dhe raketa tokë-ajër ndaj aeroplanëve të paidentifikuar që fluturonin mbi Kabul, por nuk duket se kanë goditur ndonjërin. Talebanët thanë se besojnë që të paktën njëri nga mjetet fluturuese ishte avion amerikan zbulimi.

XS
SM
MD
LG