Lidhje

Australia ndihmon luftën kundër terrorizmit - 2001-10-22


Australia është një nga aleatet më besnike të Amerikës. Australianët dhe amerikanët luftuan krah për krah gjatë luftës së parë dhe të dytë botërore, në Kore, Vietnam dhe Gjirin Persik. Dhe tani trupat australiane po dislokohen në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Kryeministri John Howard tha se Australia do të dërgojë më shumë se një mijë e 500 trupa ushtarake, përfshijë trupa elitë në sulmet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kundër regjimit taleban dhe terroristëve që ata strehojnë në Afganistan. Australia do të dërgojë aeroplanë luftarakë dhe furnizues si dhe luftanije. “Forcat tona do të luftojnë jashtë vendit për një periudhë shumë të shkurtër” tha kryeministri Howard.

Për më shumë se gjysmë shekulli, Australia është e lidhur me Shtetet e Bashkuara me marrëveshjen dypalëshe të sigurimit ANZUS. Në fakt kjo aleancë u riafirmua këtë muaj në një rezolutë të nxjerrë nga Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara. Por siç theksoi edhe ligjvënësi Henry Hyde, lidhjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Australisë “janë më të thella se sa ato që përcaktohen në dokumente, megjithëse edhe dokumentet padyshim që kanë rëndësinë e tyre. Ne kemi të njëjtën origjinë, kemi institucione politike dhe parime qeverisjeje të ngjashme, vendosmëri të përbashkët për paqe dhe liri kudo në botë”.

Australia premtoi një mbështetje pa kushte për Shtetet e Bashkuara menjëherë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Qendrën Botërore të Tregëtisë dhe Pentagon. Dhe për herë të parë në historinë e aleancës, shtetet e Bashkuara dhe Australia vunë në zbatim nenin 4 të ANZUS-it. Ky nen kërkon që Shtetet e Bashkuara dhe Australia të bashkëpunojnë në kundërpërgjigje të një sulmi.

Veprimi i Australisë ishte i ngjashëm me atë të 19 vendeve të aleancës së Natos e cila për herë të parë vuri në zbatim nenin 5 të saj. Ky nen thotë se një sulm kundër njërit prej anëtarëve të aleancës konsiderohet si sulm mbi të gjitha vendet anëtare. Organizata e Shteteve Amerikane ka vënë në zbatim gjithashtu të drejtjën e mbrojtjes së përbashkët që parashikohet në Traktatin e Rios.

Shumë vende të botës po ndihmojnë në luftën kundër terrorizmit në rrugë të ndryshme. Siç tha Presidenti Bush, ato e kuptojnë se nëse sulmet terroriste mbi Amerikën lihen “pa u ndëshkuar, radhën do ta kenë qytetet e tyre dhe qytetarët e tyre. Terrori pa përgjigje, jo vetëm që mund të rrëzojë ndërtesa, por mund të kërcënojë qeveritë e tyre legjitime. Dhe siç e bëri të qartë presidenti Bush “Shtetet e Bashkuara nuk do ta lejojnë një gjë të tillë”.

XS
SM
MD
LG