Lidhje

Bush: gati për ditë të vështira - 2001-11-24


Presidenti Bush u kërkoi amerikanëve që të përgatiten për ditë të vështira, duke thënë se lufta kundër terrorizmit nuk do të përfundojë shpejt dhe nuk do të jetë e lehtë.

Në fjalimin e tij të së shtunës në radio, presidenti Bush tha se terroristët fshihen dhe komplotojnë në vende të ndryshme të botës. Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë besim se çështja e tyre është e drejtë dhe do të luftojnë për sa kohë që të jetë e nevojshme.

Të premten, Presidenti u këshillua me ndihmësit e tij kryesorë për fushatën ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan dhe për ndjekjen e Osama bin Ladenit, organizata e të cilit Al-Qaeda akuzohet si organizatore e sulmeve terroriste të 11 shtatorit kundër Qendrës Botërore të Tregtisë dhe Pentagonit.

Në fjalimin e tij në radio, presidenti Bush u përpoq gjithashtu t’u kujtojë amerikanëve se megjithë tragjeditë e kohëve të fundit, ata kanë plot arësye për të shfaqur mirënjohje në sezonin e tanishëm pas Ditës së Falenderimeve. Ata, tha ai, duhet të falenderojnë trupat amerikane për guximin e tyre dhe duhet t’u jenë mirënjohës lidhjeve familjare dhe të besimit që kanë midis tyre.

Presidenti Bush po e kalon fundjavën me familjen në vendpushimin presidencial Camp David në shtetin Maryland.

XS
SM
MD
LG