Lidhje

Bush: bin Laden do të kapet - 2001-12-14


Presidenti Bush thotë se atij nuk i intereson nëse Osama bin Laden kapet gjallë apo vdekur, por ai vazhdon të ketë besim se forcat antiterroriste do ta kapin udhëheqësin e al-Qaida-s.

Zoti Bush u tha sot gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se Osama bin Laden mund të fshihet për një farë kohe, por më në fund do të kapet.

Në Afganistan, avionë luftarakë amerikanë po bombardojnë gjatë natës në zonën malore në lindje ku zyrtarët ushtarakë besojnë se mund të zihen në kurth Osama bin Laden dhe forcat e al-Qaida-s.

Forcat speciale amerikane dhe luftëtarët afganë anti-Talebanë po shkojnë drejt asaj zone, në Malet e Bardha pranë Tora Borës. Njoftohet se dy ushtarë amerikanë janë plagosur lehtë në luftime.

Një zyrtar i lartë amerikan thotë se autoritetet amerikane janë të bindura që Osama bin Laden është në atë zonë, për shkak të qëndresës së fortë të luftëtarëve të al-Qaida-s, nga vëzhgime të njoftuara nga komandantë antitalebanë dhe të dhëna të tjera të zbulimit.

Kryeministri i përkohëshëm i Afganistanit, Hamid Karzai, bëri nderime sot tek varri i Ahmad Shah Masood-it, komandantit për një kohë të gjatë të forcave të Aleancës Veriore. Zoti Masood u plagos rëndë në një sulm vetvrasës dy ditë para sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG