Lidhje

Incident mes ushtarëve pakistanezë dhe luftëtarëve të al-Kaidës - 2001-12-19


Gjatë një shkëmbimi të shtënash me armë ndërmjet ushtarëve pakistanezë dhe luftëtarëve të Al-Qaidës nga Afganistani, të kapur rob, janë vrarë të paktën 10 vetë, duke përfshirë ushtarë dhe robër. Zyrtarët pakistanezë thonë se të shtënat filluan ndërsa robërit po transferoheshin në një burg në veri të Pakistanit. Robërit u rrëmbyen armët ushtarëve pakistanezë dhe hapën zjarr.

Incidenti ndodhi në afërsi të qytetit kufitar të Pakistanit, Parachinar. Autoritetet lokale thonë se më shumë se 35 luftëtarë të Al-Qaidës mundën të largoheshin gjatë përleshjes. Mendohet se ata ishin mes 250 terroristëve që u larguan nga rajoni i Tora Borës. Forcat pakistaneze po patrullojnë kufirin me Afganistanin për të parandaluar hyrjen në vendin e tyre të anëtarëve të Al-Qaidës që përpiqen të strehohen në zonat gjysmë-autonome pashtune.

Përleshja ndodh ndërkohë që forcat amerikane në Afganistan kanë intensifikuar ndjekjen e Osama Bin Ladenit dhe udhëheqësve të lartë të Al-Qaidës. Forcat speciale amerikane po kontrollojnë shpellë më shpellë në rajonin e Tora Borës, disa herë me ndihmën e aleatëve të tyre afganë. Këto forca dhe agjentët e zbulimit kanë marrë në pyetje robërit e luftës të kapur nga forcat anti-talebane të Afganistanit.

XS
SM
MD
LG