Lidhje

Intervistë me analistin James Hooper - 2002-01-30


Bllokimi i ngritjes së institucioneve në Kosovë po i pengon seriozisht aspiratat e shqiptarëve për statusin e ardhshëm të Kosovës. Analisti i çështjeve të Ballkanit James Hooper, tha në një intervistë për korrespondentin Arben Xhixho se presioni ndërkombëtar që po vihet re tani ndaj Malit të Zi për të mos u shkëputur nga Jugosllavia, do të fillojë të ushtrohet edhe ndaj Kosovës.

AXH: Zoti Hooper, ju i keni ndjekur për një kohë të gjatë zhvillimet në Ballkan, a jeni i zhgënjyer sot, kur pothuajse tre muaj pas zgjedhjeve, në Kosovë ende nuk është formuar qeveria?

J.H: Unë jam shumë i zhgënjyer me këtë situatë. Duket sikur shqiptarëve nuk mund t’u besosh demokracinë. Në se udhëheqësit shqiptarë duken të paaftë për të zgjidhur mosmarrëveshjet me njeri tjetrin dhe për të formuar një qeveri pas zgjedhjeve, ky do të ishte një hap serioz pas për aspiratat e tyre për pavarësi. Në se Kosova do të fillojë të ndjekë shembullin e Shqipërisë ku zgjedhjet janë bërë gjithmonë të diskutueshme, kjo do t’i dëmtonte shumë përpjekjet e Kosovës për demokraci dhe për të ecur në rrugën drejt krijimit të një shteti të pavarur.

A.XH: Bashkimi Evropian e ka shtuar ndjeshëm kohët e fundit trysninë ndaj Malit të Zi për të mos u shkëputur nga Jugosllavia. A pritet të ketë ndonjë ndikim tek Kosova e ardhmja e Malit të Zi ?

J.H: Kjo duhet të shërbejë si një nxitje tjetër që shqiptarët në Kosovë të lënë pas mosmarrëveshjet dhe të formojnë një qeveri demokratike. Plani i Bashkimit Evropian është të ruajë republikën e Jugosllavisë. Prandaj ata po i bëjnë trysni të madhe presidentit malazes Gjukanoviç, madje edhe me sanksione ekonomike, që të mos shpallë pavarësinë dhe të shkëputet nga Jugosllavia. Më pas do e ketë Kosova radhën që të ndjejë trysninë për të qendruar brenda jugosllavisë. Një numër zyrtarësh evropianë kanë shkuar në Beograd dhe kanë thënë se Kosova duhet të jetë pjesë e Jugosllavisë, pjesë e Serbisë. Vetë Serbët pas rrëzimit të Millosheviçit, ndonëse jo publikisht, por privatisht e pranonin se e humbën Kosovën, por tani sa më shumë që bëjnë komente të tilla zyrtarët evropianë aq më shumë besojnë zyrtarët serbë në to. Prandaj për shqiptarët është e rëndësishme të formojnë qeverinë dhe të hartojnë një strategji për statusin përfundimtar.

A.XH: Kohët e fundit u bënë tre arrestimet e para të shqiptarëve në Kosovë nën akuzat për krime lufte. Cili është mendimi juaj, a do të shohim arrestime të tjera në të ardhmen ?

J.H: Kohët e fundit ka patur spekullime, të bazuara në fakte, se Gjykata e Hagës po hetonte shqiptarë në Kosovë, paralelisht me hetimet ndaj forcave serbe. Pra pritej që Gjykata e Hagës mund të lëshonte akuza edhe kundër disa shqiptarëve në Kosovë. Ndonëse nuk dihet ende qartë në se Haga është pas arrestimeve të fundit, me rëndësi është se si do të reagojnë shqiptarët ndaj kësaj. Ata jo vetëm që duhet të manifestojnë angazhimin e tyre ndaj demokracisë, por duhet t’i nënshtrohen edhe respektimit të shtetit ligjor. Arrestimet do të jenë një provë që ata të ragojnë me maturi, qetësi dhe të tregojnë se janë më të përgatitur se serbët për t’u marrë me drejtësinë, për të treguar se kanë besim se çështja e tyre do të zgjidhet nga gjykata, se ata e konsiderojnë zbatimin e ligjit mbi gjithshka. Kjo do t’i ndihmojë drejt së ardhmes.

A.XH: Ju faleminderit

XS
SM
MD
LG