Lidhje

Kalendari Historik 22 shkurt - 2002-02-22


Si sot 270 vjet më parë, më 22 shkurt të vitit 1732 lindi në Westmoreland të shtetit Virginia, George Washingtoni, figura mbizotëruese në historinë e Shteteve të Bashkuara. Mësimet e para i mori nga mësues privatë dhe nga prindërit, të cilët kishin një plantacion në koloninë e Virginias. Megjithëse nuk ndoqi ndonjë kolegj, ai ishte matematikan dhe gojëtar i zoti. Pjesën më të madhe të rinisë e kaloi së bashku me vëllezërit në plantacion, ku mësoi punët e fermerit dhe të gjeometrit. Që në moshë të re hyri në ushtrinë e Virginias. Me gradën toger, ai u shqua si oficer i guximshëm në luftimet kufitare me fiset armiqësore të indianëve të Amerikës dhe me aleatët e tyre francezë. Në vitin 1777, kur pritej të fillonte lufta për pavarësi nga Anglia, Kongresi e caktoi George Washingtonin kryekomandant të Ushtrisë Kontinentale të sapokrijuar. Pas fitores amerikane, Washingtoni u kthye në fermën e tij të dashur në Mount Vernon të Virginias dhe filloi të merrej me kultivimin e duhanit. Por atë e thirrën përsëri për të kryesuar punimet e Konventës, që hartoi Kushtetutën në vitin 1787. Autoriteti i madh që gëzonte George Washingtoni, bëri thuajse të pashmangshme zgjedhjen e tij njëzëri si president i parë i Shteteve të Bashkuara. George Washingtoni vdiq më 4 dhjetor 1799 në moshën 67 vjeç.

Kambana e Lirisë, simbol historik i pavarësisë amerikane, u thye më 22 shkurt të vitit 1752. Kambana prej hekuri u ça kur po provohej në oborrin e selisë së parlamentit të kolonisë së Pensilvanisë. Kambana 943 kilogramëshe ishte derdhur në Londër dhe mbante mbishkrimin biblik: Shpall Lirinë për Gjithë Vendin dhe Banorët e tij. Kambana e thyer u shkri dhe një kambanë e dytë, po me difekte, u derdh në vitin 1753. Një e tretë u derdh po atë vit dhe u ngrit në majë të kullës së selisë së parlamentit ku përdorej për të thirrur njerëzit në mbledhje. Më 4 Korrik të vitit 1776, tingujt e saj shpallën Deklaratën e Pavarësisë, e cila ishte hartuar dhe nënshkruar në të njëjtën ndërtesë. Sipas trashëgimisë gojore, në vitin 1835, edhe kjo këmbanë u plasarit, pa shpresë për t’u riparuar më, kur tingujt e saj lajmëruan vdekjen e kryetarit të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, John Marshall. Sot Kambana e Lirisë është e ekspozuar në një pavion me xhama pranë Sallës së Pavarësisë, në qytetin Filadelfia.

XS
SM
MD
LG