Lidhje

Kosova sot ka presidentin, kryeministrin dhe qeverinë e saj (4 mars) - 2002-03-04


Kosova prej sot është bërë me presidentin, kryeministrin dhe qeverinë e saj. Për presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, kryeministrin Bajram Rexhepi dhe qeverinë prej dhjetë ministrash votuan 88 deputetë të Kuvendit të Kosovës, ndërsa tre ishin kundër dhe 15 të tjerë të përmbajtur.

Votimet e sotme zyrtarizuan marrëveshjen e arritur ditë më parë ndërmjet partive politike për ndërtimin e institucioneve të Kosovës. Njëkohësisht kjo i dha fund periudhës mëse tre muajshe të zbraztësirës institucionale dhe bisedimeve të gjata dhe shpeshherë të mundimshme për zbatimin e rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në nëntor të vitit të kaluar.

Votimet sipas paralajmërimeve kaluan pa ndonjë pengesë dhe vetëm për 45 minuta përfundoi tërë procesi i zgjedhjes së institucioneve të Kosovës. Fillimisht deputetët kompletuan kryesinë e Kuvendit në të cilën u përfshinë edhe dy përfaqësuesit e Partisë Demokratike Xhavit Haliti e Hydajet Hyseni. Më pastaj administratori i Kosovës Michael Steiner u bëri thirrje deputetëtve që të mbështesin marrëveshjen e arritur javën e kaluar duke iu përkujtuar atyre përparësitë dhe sfidat themelore me të cilat do të përballen institucionet e Kosovës.

Pas përfundimit të votimeve presidenti dhe kryeministri i Kosovës shpalosën para gazetarëve disa nga synimet e tyre kryesore duke u zotuar se do të punojnë për interesat e të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësie etnike, fetare apo politike. Zoti Rugova theksoi se presidenca e Kosovës do të shprehë unitetin e popullit dhe të gjithë qytetarëve të saj. “ Do të punojmë që të zhvillojmë shoqërinë civile dhe ,mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët, do të zhvillojmë një shoqëri të tolerancës të mirëkuptimit e të pajtimit midis njerëzve dhe të respektimit midis njëri tjetrit, do të punojmë së bashku në ndërtimin e një Kosove të lirë, demokraike, paqësore prosperuese të pavarur të integruar në Bashkimin Evropian, në sktrukturat veriatlantike dhe në mardhënje miqësore me Shtetet e Bashkuara në bazë të vullnetit politik e demokratik të popullit të Kosovës dhe qytetarëve të saj”

Presidenti Rugova tha se njohja edhe formale siq u shpreh ai e pavarësisë së Kosovës do të siguronte dhe shpejtonte këtë proces, duke shtuar se institucionet e Kosovës do të punojnë për vendosjen e marrëdhënieve të mira me të gjitha vendet fqinje. Ai u angazhua për marrëdhënie të mira me praninë ndërkombëtare në Kosovë duke falënderuar posaqërisht Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian për mbështetjen e dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Presidenti Rugova tha se bisedimet që u zhvilluan për ndërtimin e institucioneve ishin një përvojë demokratike për Kosovën, ndërsa propozoi që sistemi i votimeve në zgjedhjet e ardhshme të ndryshohet për të lehtësuar ndërtimin e institucioneve.

Të dy zyrtarët më të lartë politik të Kosovës presdenti Rugova dhe kryeministri Bajram Rexhepi i kushtuan një kaptinë të vecantë integrimit të pakicave kombëtare në shoqërinë e Kosovës. Kryeminsitri Rexhepi i cili vjen nga qyteti i ndarë i Mitrovicës u zotua se do të punojë për integrimin e siq u shpreh enklavave serb. “Ne do të angazhohemi që në Kosovë të jenë të integruar në rrjedhat politike e publike të gjithë qytetarët e saj. Në realitet duhet të jenë të integruara edhe minoritetet dhe të pushoi mbyllja nëpër enklava. Edhe Mitrovica dhe Graqanica janë pjesë të Kosovës dhe ato duhet të jenë të integruara”

Kryeministri Rexhepi tha se qytetarët nuk mund të presin mrekulli nga qeveria e Kosovës, mirëpo ajo do të punojë për më shumë vende pune, zhvillim të shpejtë ekonomik dhe përmirësim të shëndetit publik. Të dy zyrtarët e lartë të Kosovës premtuan siguri për të gjithë, vendosjen e rendit dhe ligjit, përkujdesjen sociale dhe përgjithësisht thellimin e proceseve të demokratizimit e integrimeve dhe luftën kundër krimit, korrupsionit dhe padrejtësive. Të githa këto pohuan ata do të krijojnë kushtet themelore për zgjidhjen përfundimtare të statusit politik të Kosovës.

Votimet e sotme janë mbështetur fuqishëm nga administratori i Kosovës Michael Steiner i cili e quajti shumë të matur dhe të mencur veprimin e sotëm të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.” Jam shumë i kënaqur për faktin se zyrtarët politik janë të bashkuar në dëshirën e tyre për integrimin e të gjitha komuniteteve në Kosovë.” Ai shfaqi shpresën se edhe përfaqësuesit e koalicionit të serbëve KTHIMI do të dërgojnë njeriun e tyre në qeveri megjithë paknaqësitë e tyre me ndarjen e resoreve të qeverisë së Kosovës. Sidoqoftë, Kosova sot fitoi institucionet e saj, presidentin, kryeministrin dhe qeverinë e parë të njohur e të pranuar ndërkombëtarisht. Njëkohësisht dita e sotme shënon fillimin e funksionimit të tyre dhe përballjes me problemet e hapuar e të pazgjidhura, ku siq u shpreh kryeministri i sapoemëruar, cdo gje në Kosovë është sfidë në vete.

XS
SM
MD
LG