Lidhje

Kalendari Historik 5 prill - 2002-04-05


Më 5 prill 1964, vdiq në Washington pas një sëmundjeje të gjatë në moshën 84 vjeçare një nga ushtarakët më të shquar të Shteteve të Bashkuara, gjenerali Douglas MacArthur. Gjenerali MacArthur ishte hero i Luftës së Parë Botërore, ndërsa në Luftën e Dytë Botërore komandoi trupat aleate që arritën fitoren ndaj Japonisë. Në gusht 1950, ai u vu në krye të forcave amerikane që po tërhiqeshin nga Lufta e Koresë, dhe i udhëhoqi ato në një sërë fitoresh ndaj forcave koreano-veriore dhe kineze. Por në prill 1951, presidenti Harry Truman e shkarkoi gjeneralin nga detyra pasi ai vuri në pikëpyetje politikat ushtarake të administratës në Kore, për të cilat gjenerali MacArthur mendonte se nuk ishin të ashpra sa duhet.

Më 5 prill 1851 kryetari i bashkisë së New Yorkut Ambrose Kingsland propozoi që në Ishullin e Manhatanit të ndërtohej një park i madh. Kingsland tha se ky park, i cili sot njihet me emrin Central Park, ose Parku Qendror, do të ishte një pikë e këndshme çlodhjeje nga jeta e ngarkuar për banorët e qytetit. Këshilli i qytetit e miratoi planin dhe ndërtimi i parkut filloi në vitin 1856. Arkitekti i mirënjohur Frederick Law Olmsted fitoi një konkurs në shkallë kombëtare për projektin e krijimit të parkut. Në projekt përfshiheshin lulishte të gjera, hapësira për sport dhe rrugëza për shëtitje midis pemëve. 61 hektarë nga sipërfaqja prej 341 hektarësh e parkut janë nën ujë, në formë liqenesh, pellgjesh apo përrenjsh. Një lëndinë e hapur në park përdoret për koncerte, ndërsa në një tjetër pikë të parkut jepen shfaqje teatrale nga Shekspiri. Central Park vazhdon të jetë parku më i famshëm urban në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG