Lidhje

Raport mbi masakrën e Srebrenicës - 2002-04-10


Institutit hollandez për dokumentimin e luftës iu deshën 6 vjet për të përgatitur raportin prej 7 mijë faqesh. Në raport thuhet se rreth 200 paqeruajtës hollandezë, të armatosur lehtë, të ngarkuar për të mbrojtur Srebenicën në vitin 1995, kishin detyrën e pamundur të mbrojtjes së civilëve vendorë ndërkohë që qyteti ishte pushtuar nga forcat serbe të Bosnjës. Srebenica ishte caktuar si zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara. Rreth 8 mijë burra dhe djem boshnjakë muslimanë u kapën dhe më pas u masakruan nga forcat serbe të Bosnjës. Megjithëse raporti fajëson komandantin ushtarak serb të Bosnjës, Ratko Mladiç, për masakrën, në të thuhet se oficerë hollandezë që komandonin paqeruajtësit mbajnë përgjegjësinë e tyre për dorëzimin e civilëve në duart e pushtuesve serbë. Sipas raportit, paqeruajtësit nuk kundërshtuan vendimin e serbëve të Bosnjës për të ndarë burrat e djemt muslimanë nga gratë, kur qyteti u pushtua nga forcat e gjeneralit Mladiç. Por sipas raportit, trupat hollandeze besuan se shpresa e vetme për civilët ishte që të evakuonin Srebenicën dhe bashkëpunuan më serbët e Bosnjës në këtë drejtim. Raporti e bën të qartë se, megjithëse oficerët hollandezë kishin frikë për atë që ata e shikonin si ”rrezik për teprime” nga ana e serbëve, ata nuk parashikonin një masakër të shkallës së gjerë kundër civilëve. Dokumenti fajëson Kombet e Bashkuara se u dha paqeruajtësve hollandezë një mandat të paqartë. Sipas tij, rregullat e OKB-së për angazhim në luftime nuk i lejuann trupat hollandeze t’u përgjigjeshin sulmeve të serbëve të Bosnjës në Srebenicë, pasi ata vetë nuk ishin vënë drejpërdrejtë në shënjestër nga ana e pushtuesve.

Raporti gjithashtu fajëson zyrtarë të lartë të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara se përjashtuan mundësinë e përdorimit të sul;meve ajrore për të mbështetur trupat hollandeze në rajon. Në të thuhet se pa një mbështetje të tillë, trupat e pakta hollandeze, do të ishin të pafuqishme përballë forcave serbe të Bosnjës shumë herë më të mëdha në numër.

Një përfundim tjetër i autorëve të raportit është se nuk ka asnjë provë që udhëheqësit serbë në Beograd, përfshirë ish presidenti jugosllav, Slobodan Millosheviç, kishin urdhër për masakrën apo se e kishin mbështetur atë.

XS
SM
MD
LG