Lidhje

Rexhepi: mbështja amerikane-domosdoshmëri - 2002-05-22


Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi vazhdon takimet në Shtetet e Bashkuara, në kuadrin e vizitës së parë që ai po bën jashtë Kosovës.

Zoti Rexhepi pati dje një takim në Këshillin e Sigurimit Kombëtar në Uashington, ndërsa pastaj shkoi në Nju Jork ku u takua me anëtarët e Kongresit amerikan Benjamin Gilman dhe Elliot Engel si dhe me përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Rexhepi shprehu besim se Kosova do të vazhdojë të ketë mbështjen ekonomike, politike dhe praninë ushtarake të Shteteve të Bashkuara. Kjo prani, tha ai, është shumë e dosmosdoshme jo vetëm për stabilitetin në Kosovë por edhe për atë rajonal.

Ai tha se qeveria e tij është e gatshme megjithë kufizimet në kornizën kushtetuese për të realizuar detyrat e saj duke u përpjekur të zgjerojë hapësirën e veprimit të saj.

Zoti Rexhepi tha se ai është i gatshëm të bisedojë me përfaqësuesve e pakicave por shtoi se është herët për një dialog midis Prishtinës dhe Beogradit.

Kryeministri Rexhepi tha se pala serbe duhet që së pari të kërkojë falje kolektive, e cila do ti zbuste tensionet.

Sot, kryeministri Rexhepi do të flasë në Klubin Kombëtar të Shtypit në Uashington ku do tu përgjigjet pyetjeve të gazetarëve dhe të ekspertëve. Po sot ai do të shkojë në Institutin amerikan të Paqes po në Uashington, një institucion jo-fitimprurës i krijuar dhe i financuar nga Kongresi i cili merret me zgjidhjen paqësore të konflikteve ndërkombëtare.

Zoti Rexhepi i jep fund vizitës dhe largohet nga Shtetet e Bashkuara sot pasdite.

XS
SM
MD
LG